Vr*sja në Divjakë/ Autori pranon krimin në gjykatë: U hakmorra për babain tim…

Xheison Toromëni u fut sot paradite në gjykatën e Fierit, për t`u njohur me vlerësimin e masës së sigurisë arrest me burg, vendosur ndaj tij për vrasjen e 32-vjeçarit Besmir Kumria në fshatin Kryekuq në Divjakë.
Seanca u zhvillua pa praninë e medias, ndërsa në përfundim, gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke lënë në qeli 25-vjeçarin me akuzën e vrasjes me dashje.
Gjatë zhvillimit të seancës në Gjykatë, Xheison Toromeni ka pranuar krimin duke dhënë edhe versionin e tij para trupës gjykuese. Ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim si në dëshminë e dhënë para oficerit të policisë gjyqësore, duke deklaruar se vrasjen e kreu në shenjë hakmarrje pasi viktima i kishte dhunuar babain tre vjet më parë për një kanal uji.
“Besmiri tre vjet më parë ka rrahur keq babain tim, pikërisht për një vijë uji. Kur e pashë në tavolinë ulur me dy persona të tjerë nuk durova dhe shkova e qëllova disa herë me thikë. Dy personave të tjerë u thashë nuk kam punë me ju dhe ika u largova’
Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë në fshatin Kryekuq të Divjakës, ku Xheison Toromëni qëlloi disa herë me thikë bashkëfshatarin e tij Besmir Kumria, duke i marrë jetën për shkak të një konflikti të hershëm.