E rëndë në Divjakë/ Vr*tet me th*kë një 32-vjeçar

Një 32 vjeçar ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit në një lokal në Divjakë, pasi është qëlluar disa herë me thikë.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kryekuq, ku një person ka hyrë në lokal dhe ka shkuar në drejtim të tavolinës së 30 vjeçarit Besmir Kumria, duke e sulmuar atë me thikë.
Viktima ka qenë i shoqëruar me persona të tjerë në tavolinë, të cilët nuk e kanë njohur autorin dhe shtojnë se ai nuk është banor i zonës.
Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar me një makinë, teksa policia po mbledh informacion për identifikimin e tij pasi në lokal dhe në zonë nuk ka pasur asnjë kamera sigurie.
Sipas të dhënave Besmir Kumria punonte në Himarë gjatë sezonit të verës dhe ishte kthyer në Divjakë për të përcjellë bashkëshorten e tij që do të nisej për Gjermani pasi kishte siguruar një punë si infermiere.
Trupi i viktimës ndodhet në morgun e qytetit të Lushnjes, teksa policia ka rrethuar zonën dhe po punon për gjetjen e autorit të krimit.
Divjakë
Goditi me thikë një shtetas, i cili për pasojë humbi jetën; pas veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar.
Pas vrasjes, autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të DVP Fier.
Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë.
U ngrit grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.