Life Style

Ja si mbajti peng Berisha krerët e PS dhe Ilir Metën në Macukull në vjeshtën e ’95, prapaskenat e…

Ja si mbajti peng Berisha krerët e PS dhe Ilir Metën në Macukull në vjeshtën e ’95, prapaskenat e përplasjeve të Saliut me SHBA në ’96, ultimatumi i Uashingtonit për përsëritjen e zgjedhjeve dhe sherri midis MPJ dhe DASH

Elmas Bogdani

Në këtë artikull do të rikujtojmë detajet, faktet dhe dëshmitë nga barbaria, terrori dhe reprezaljet e pushtetit të Sali Berishës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 26 Majit 1996, ku angazhoi SHIK-un kriminal të Gazidedes, strukturat e policisë, të ushtrisë dhe të gjithë lukuninë e kamikazëve të Partisë Demokratike për të vjedhur zgjedhjet me dhunë, në funksion të mbajtjes së pushtetit me forcë dhe të krijimit të dinastisë familjare. Vetëm tre vjet pas zgjedhjeve të para pluraliste dhe përmbysjes së regjimit komunist, Partia Socialiste dhe mbështetësit e saj në Rrethin e Matit kanë demonstrimin dhe shfaqjen më brutale të regjimit të Sali Berishës. Ndërkaq, në një nga shënjestrat e shtetit policor të asaj kohe ka qenë edhe Ilir Meta me drejtues të lartë të PS në qendër dhe në Mat.

Ngjarja në Macukull

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Macukull të Rrethit të Matit në 29 Tetor të vitit 1995, ku Ilir Meta, ish nënkryetar i PSSH-së dhe kryetar i FRESSH-it, i ka provuar për gjashtë orë gurët, sharjet, pengmarrjen, por edhe gëzimin në këtë fshat të largët të Matit. Asokohe, në fshatin Dukagjin të Derjanit socialistët e zonës kishin sfiduar çdo parashikim dhe kishin thirrur në një takim politik Servet Pëllumbin. Ylber Toçi, Bashkim Demiri, Xhelal Kuka, e të tjerë socialistë të asaj kohe organizuan në qendër të fshatit Dukagjin një tubim interesant. Dhjetëra të rinj e banorë të fshatrave Bruç, Prell, Derjan, Gjoçaj, Urxallë, Macukull e Dukagjin bashkëbiseduan gjatë për dhunimin e të drejtave të opozitës dhe qytetarëve nga pushteti i asaj kohe. Mitingu nuk pati probleme, por pas një vizite të shkurtër të Pëllumbit në familjen Toçi, në fshatin Urxallë, vetëm pak orë më pas, largohet nga puna Hamit Toçi, shef rendi në Komisariatin e Krujës, pasi vëllai priti për kafe liderin e PS-së.

Bllokada 

Pa kaluar urën e Matit kuptojnë se rruga Lis-Derjan-Macukull ishte bllokuar nga policia dhe militantët e PD-së me gurë dhe nuk kalohej. Atëherë socialistët ndërtojnë planin B për të udhëtuar drejt Macukullit. Në Burgajet vendosin të udhëtojnë në itinerarin Lis-Vig-Macukull, një rrugë kjo mjaft e vështirë. Në hyrje-daljet e fshatit ishin ngritur prita nga militantët e PD-së, të cilët kishin mbështetjen e policisë lokale dhe sidomos punonjësve të SHIK-ut. Mes sharjeve, gurëve e dhunës policore, Ilir Meta dhe të rinjtë mblidhen në oborrin e Ahmet Mucekut. Oficerë policie, të SHIK-ut, militant të PD-së shpërthejnë në urrejtje dhe i kërkojnë Mucekut t’i largojë nga shtëpia. Në fund të bashkëbisedimit Meta shpërndan tesera të FRRESH-it për të rinjtë e zonës.

Dasma 

Teksa mysafirët po dilnin nga takimi politik ato takohen me Halil Koliqin, i cili atë ditë martonte djalin e vëllait. “Shoku Meta, i drejtohet ai nënkryetarit të PSSH-së të asaj kohe. Nuk janë të gjithë macukllanët si ato që ju zunë rrugën dhe u fyen. Unë sot martoj nipin dhe jeni i lutur të merrnin pjesë në dasmë, me kë dëshironi”, i tha Koliqi mikut nga Tirana. Ibrahim Frisku kujton se Meta dhe personat që e shoqëronin u sistemuan në kullën e Koliqit, ndërkohë jashtë vazhdonte dasma, madje herë pas here pjesëmarrësit ngrinin dolli për Ilir Metën. Një burrë i moshuar u ngjit në kullë dhe e pyeti Metën: “Po ju pse nuk kaluat me të majtën”. Iliri i përgjigjet se në demokraci dikush kalon djathtas e të tjerë majtas. “Azemi kaloi me të djathtën dhe unë me të majtën. Familja ime dhe unë kemi lidhje të fortë me luftën, ndaj jam në të majtë për të mbrojtur luftën, historinë, traditat”, ka qenë përgjigja e Ilir Metës për plakun nga Macukulli. I zoti i shtëpisë u lutet socialistëve t’u vinte në dispozicion makinat e krushqve, në mënyrë që ato të mos kishin probleme në kthim. Meta dhe ata që e shoqëronin nuk kanë rënë dakord.

Zgjedhjet dhe përplasja e Berishës me SHBA

Gjithashtu  zgjedhjet e 26 Majit 1996, pasuan me torturat, zhdukjet, rrahjet masive dhe terrori për të mbrojtur rezultatin e manipuluar me dhunë, shënuan krisjen e parë dhe më të rëndë, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pushtetit tashmë të Sali Berishës. Pikërisht pesë vjet pas zgjedhjeve të para pluraliste, atëherë kur raportet mes Shqipërisë dhe SHBA po konsolidoheshin pas 50 vjet ngrirje, Sali Berisha hodhi në erë investimin amerikan për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, bazuar pikësëpari në zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Vjedhja me dhunë e zgjedhjeve të 26 Majit 1996, duke torturuar, izoluar dhe detyruar komisionerët socialistë të pranonin rezultatin e fabrikuar, futi në një hulli të pakthyeshme  pushtetin e Sali Berishës me Departamentin Amerikan të Shtetit. Krisja nisi më parë, për vendime gjykate, ato të Kasacionit, ku Zef Brozi u detyrua të arratisej në SHBA, pse donte të lironte Fatos Nanon. Berisha shkoi më tej duke iu përgjigjur flakë për flakë një prej sekretarëve të Klintonit. Dhe me 1995 gjithçka nisi tatëpjetën. Por, zgjedhjet e 26 Majit i dhanë shkelmin, shoqëruar me piramidat dhe Berisha nuk e mori dot më veten për dy mandate.

Fillimisht, amerikanët kërkuan të përsëriteshin zgjedhjet në 40 zona zgjedhore, me argumentin se votat ishin manipuluar me forcë nga shteti policor i Sali Berishës. Por, ky i fundit nuk pranoi kurrsesi, ndërsa nisi mandatin e dytë në pushtet. Situata u tensionua kur Sali Berisha refuzoi për të pritur në takim zv/sekretarin amerikan të shtetit T.Uirth, duke injoruar kërkesën amerikane për përsëritjen e 40 zonave, bëri që SHBA-të të merrnin një pozicion të qartë kritik, madje duke tejkaluar edhe palën europiane. Më 21 qershor Departamenti i Shteti i cilësoi zgjedhjet “një hap prapa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme”. Kjo deklaratë u prit me nervozizëm nga PD-ja.  Ministria e Jashtme mbrojti zgjedhjet dhe iu kundërvu DASH-it duke thënë se “në zgjedhjet e vitit 1991, pavarësisht se 12 veta u vranë nga policia sekrete, PD-ja nuk i bojkotoi zgjedhjet”. Ndërkaq, pas ultimatumit në zarf, amerikanët e larguan me dhunë nga pushteti.

Bomba e dytë 

Pas SHBA, raporti i OSBE ishte një bombë për Sali Berishën. Ky raport ishte më kritiku në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Asnjëherë më parë dhe më pas, vëzhguesit ndërkombëtarë nuk do të deklaroheshin aq prerë dhe publikisht kundër standardit të zgjedhjeve, përgjegjësisë së qeverisë, ndërhyrjeve politike në proces dhe rolit të institucioneve kryesore të shtetit, përfshirë Presidentin, Gjykatat, Këshillin e Ministrave, Policinë e Shtetit, Shërbimin Sekret dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ekipi vëzhgues ndërkombëtar, i përbërë nga vëzhgues nga 11 shtete, deklaroi se vëzhguan 300 qendra votimi në 115 zonat elektorale. Konkluzioni i vëzhguesve ishte kategorik dhe shumë i ashpër: në zgjedhje ishin shkelur 32 nga 79 nenet e Kodit Zgjedhor, dhe konkretisht nenet 4, 13, 16, 19, 21, 22, 28, 29, 31, 32, 36, 37, 38, 39, 40, 44, 48, 51, 53, 56, 57, 60, 63, 64, 66, 68, 70, 71, 72, 73, 74 dhe 75. Ata gjithashtu vlerësuan se ishin shkelur pesë nenet e paragrafit 7 të Kartës së OSBE (Kopenhagen), neni 7.4, 7.5, 7.6, 7.7 dhe 7.8…/sot.com.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button