Gjesti tha se iu bë padrejtësi/ Reagon drejtuesi i kompanisë që akuzoi këngëtari: E nënshkroi me vullnet të lirë

Pas deklaratave të Gjestit se po përballet me padrejtësi dhe se për një kohë të pacaktuar nuk do të publikojë projekte të reja për shkak të problemeve me distributorin e tij të mëparshëm, ka ardhur përgjigjja nga pala tjetër e përfshirë në këtë çështje.
Erkand Shabani, drejtues i platformës “Onima”, ka reaguar publikisht duke shprehur “keqardhje të thellë” për atë që e cilëson si “lajme të rreme” të shpërndara nga artisti dhe menaxhmenti i tij.
Sipas Shabanit, konflikti lidhet me kërkesën e Gjestit për t’u liruar nga kontrata për shpërndarjen dhe monetizimin e veprave të tij artistike , një marrëveshje që, sipas Onimës, është nënshkruar me vullnet të lirë dhe mbetet ligjërisht e vlefshme.
Në reagim thuhet se kërkesa për shkëputje të kontratës bazohet në një interpretim personal të Gjestit dhe stafit të tij, i cili bie ndesh me përmbajtjen e marrëveshjes ekzistuese.
