Life Style

Shpiku ‘kanaçen’ që të shihnin ‘italianin’ në diktaturë/ Ndahet nga jeta inxhinieri antikomunist, Sajmir Maloku

Inxhinieri Sajmir Maloku, tiransi që i solli Tiranës me shpikjen e tij “Kanaçen”, kohën kur qytetarët e Tiranës shihnin kanalet televizive italiane, ka ndërruar jetë.

President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni ka reaguar në lidhje me vdekjen e inxhinier Malokut, duke i shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe të gjithë miqve dhe dashamirësve që e njohën në kohën më të keqe të shqiptarëve, përgjatë komunizmit.

Sajmir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku, me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë mizorinë e komunizmit, pashpirtmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën, dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egërsinë deri në kafshëri të sistemit komunist që tmerroi shqiptarët për 50 vjet. Sajmir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinier elektronik në ushtri, Sajmir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe nga 9 hetues të regjimit. Ai vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës’, shkruan Ndregjoni në reagimin e tij.

Reagimi i plotë:

U nda nga ne bashkëvuajtësit e tij, nga Tirana e dashur, tiranasi inxhinieri Sajmir Maloku, ai që i solli Tiranës me shpikjen e tij “Kanaçen”, kohën kur qytetarët e Tiranës shihnin kanalet televizive italiane!

U shua studenti që mbaroi me medalje ari arsimin e lartë, inxhinieri i talentuar që e nisi jetën me dije dhe në fund regjimi diktatorial e burgosi në Burrel dhe Spaç! Tirana ka një intelektual më pak, një qëndrestar antikomunist më pak, një tiranas të mirë e të ditur më pak! Ai që u printe para bashkëvuajtësve të vet në shkurt të ’91-shit në rrëzimin e monumentit të diktatorit!

Sajmir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku, me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë mizorinë e komunizmit, pashpirtmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën, dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egërsinë deri në kafshëri të sistemit komunist që tmerroi shqiptarët për 50 vjet.

Sajmir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinier elektronik në ushtri, Sajmir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe nga 9 hetues të regjimit. Ai vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës.

Përveç dënimit, Maloku dhe familja e tij vuajtën po aq vite survejim, gjurmim, përgjime dhe inskenime nga Sigurimi i Shtetit — bisha e tmerrshme që mbante në këmbë diktaturën staliniste përmes frikës, panikut, përndjekjes, dhunës, arrestimeve dhe tmerrit që ajo shkaktonte ngado.

Pas një gjyqi të falsifikuar, Sajmir Maloku u mbajt për 200 ditë nën tokë, nën ujë e baltë, i fshehur prej komunistëve, në një kohë kur familja e kërkonte në të gjitha burgjet e Shqipërisë.

Ai u burgos për 9 vite nga ish-Sigurimi i Shtetit, nën akuzën e “agjitacionit dhe propagandës”, për shkak të shpikjes së një pajisjeje — “Kanaçe” — që shërbente si antenë televizive për të parë stacione të huaja, të cilat regjimi komunist i ndalonte rreptësisht.

Në komunizëm, duhej parë dhe ndjekur vetëm ajo që thoshte Partia e Punës. Çdo tentativë tjetër të çonte direkt në burg. Nëse nuk i bindeshe partisë, ishe armiku më i poshtër i klasës dhe pushtetit, partisë e popullit. Komunizmi kontrollonte gjithçka e çdo gjë, deri edhe te shijet e njerëzve. Gjithçka që nuk miratohej nga partia-shtet shpallej e ndaluar, e rrezikshme dhe e dënueshme.

Bashkëvuajtës të Sajmir Malokut ishin figura të mëdha si: Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi, Imzot Frano Ilia, Dom Ndue Sahatçija, Kardinal Ernest Simoni, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku etj.

Dëshmi përndjekjeje në ferrin komunist, si ajo e Sajmir Malokut dhe e shumë shqiptarëve që vuajtën padrejtësisht, janë pasqyra e errët e tmerrit diktatorial. Nxjerrja në dritë e kësaj errësire makabre është një çlirim jo vetëm për shpirtin e atyre që vdiqën, por edhe për ata që qëndruan heroikisht — si Sajmir Maloku dhe mijëra bashkëvuajtës të kohës.

Lamtumirë mik, bashkëvuajtës, qëndrestar, Sajmiri ynë!

Besim Ndregjoni

President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë  

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button