Life Style

Lëshohet urdhër-arrest ndërkombëtar për ish-gruan e Feros, modelen Arbenita Ismajli

Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj Arbenita Ismajlit

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Sabit Shkodra, udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjilan.

“Po, është e vërtetë që kemi lëshuar urdhër-arrestin dhe letrën e rreshtimit ndërkombëtar.

Në ditën që është bërë kërkesa nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, konform kompetencave ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Shkodra.

Prokuroria Themelore në Gjilan kishte filluar hetimet ndaj Ismajlit në qershor të këtij viti, pas dyshimeve se ajo nuk kishte zbatuar një vendim gjykate për takimet e vajzës së saj me babanë biologjik, Feronit Shabani.

Sipas aktvendimit, babai kishte të drejtë ta takonte vajzën dy herë në muaj përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, por prokuroria pretendon se Ismajli ka penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Më 10 korrik 2025, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj saj për veprën penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës” dhe për “Mospërfillje të gjykatës”.

Sipas prokurores së rastit, Ismajli dyshohet se nga shtatori i vitit 2024 ka larguar vajzën nga Kosova dhe ka qëndruar me të në vende të ndryshme të Evropës dhe Lindjes së Afërt, duke ia pamundësuar babait ushtrimin e të drejtës prindërore.

Nga ana tjetër, po e njëjta prokurori ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Feronit Shabanit për tri vepra penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje, të cilat pretendohet se i ka kryer ndaj Arbenita Ismajlit në periudhën qershor–tetor 2024. /Telegrafi/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button