Marka ikonike Fabergé shitet për 50 milionë dollarë

Fabergé, argjendaria e famshme për vezët ruse të Pashkës, i është shitur për 50 milionë dollarë një investitori teknologjie, raporton The Guardian.
Gemfields ka rënë dakord për t’ia shitur Fabergé kompanisë amerikane të investimeve, SMG Capital që drejtohet nga Sergei Mosunov.
Kompania e bleu Fabergé nga Pallinghurst në 2013 për 142 milionë dollarë dhe e nxori në shitje në dhjetor për shkak të trazirave politike në Mozambik që e bënë të ngrinte përkohësisht veprimtarinë në minierën e rubinëve.
Fabergé, e cila u themelua më 1842 dhe u transformua nga Peter Carl Fabergé më 1882, është një nga argjendaritë më të famshme të botës, por ka pësuar rënie në tregun e produkteve të luksit. Në vitin 2024, arriti në 13,4 milionë dollarë fitime kurse një vit më parë, 15,7 milionë.
Sean Gilbertson, shefi ekzekutiv i Gemfields, e përshkroi marrëveshjen si “fundi i një epoke”. Mosunov tha se ishte “nder i madh që të bëhej kujdestari i një marke kaq të jashtëzakonshme dhe të njohur në mabrë botën.” Mosunov është nënshtetas rus që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.
Fabergé njihet më së shumti për vezët e zbukuruara që prodhonte për familjen mbretërore ruse para revolucionit të vitit 1917. Argjendaria nisi të prodhonte vezët Perandorake të Pashkës kur cari Aleksandri III i kërkoi si dhuratë për gruan e tij, careshën Maria Feodorovna më 1885. Ka rreth 50 vezë Perandorake Pashke në koleksionet në mbarë botën.
Gjatë revolucionit rus, bolshevikët morën në duart e tyre punishtet e Fabergé dhe mbyllën prodhimin. Familja u vendos në Gjermani, Finlandë e Zvicër.
Marka u rikthye gjatë shek. XX dhe u shit për 180 milionë dollarë në 1984. Tre vite më vonë, bleu markën Elizabeth Arden për 700 milionë dollarë. Në 1989, grupi Unilever bleu Fabergé për 1,55 miliardë dollarë. Marka u rimor nga familja në 2009.
Veç vezëve të famshme, Fabergé njihet për bizhuteritë dhe orët. Këtë verë, doli në ankand një koleksion me modele kafshësh të skalitura nga gurë si topazi dhe nefriti. Gemfields tha se përfitimet nga shitjet do të përdoren për financimin e operacioneve në Mozambik dhe Zambia.