Media italiane: Filmi i Sejkos, ditari i një diktature

Pra, vendimi është: “Të përjashtohet pas vdekjes nga partia Mehmet Shehu për fajet e rënda në kundërshtim me vijën”.
Dhe më 17 dhjetor 1981, komiteti qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, para propozimit për të dëbuar nga Olimpi komunist kryeministrin e sapovdekur dhe të nderuar pa ndërprerje për shtatë qeveri e 27 vjet rresht, nuk kundërshton aspak.
Sigurisht, askush nuk kujton diçka të ngjashme që nga koha kur trupi i Papës Formoso, njëmbëdhjetë shekuj më parë, u nxor nga varri, u lidh në një karrige që të qëndronte drejt, u gjykua nga pasardhësi Papa Stefano VI dhe u dënua me vdekje (një vendim absurd, mbi një kufomë), e më pas u hodh në lumin Tiber…
Por si mund t’i thuhej “Jo” Enver Hoxhës, diktatorit më jetëgjatë në botë, tashmë në pushtet prej 37 vjetësh – 4 më shumë se Kim Il-Sung në Kore, 15 më shumë se Fidel Kastro në Kubë, 21 më shumë se Mobutu në Kongo? Shoku Suprem vendosi: “Votojmë: kush është pro, ta ngrejë dorën”. Të gjithë. “Kush është kundër? Askush. Rroftë Partia!”.
Të ngrin gjakun “Filmi i Shtetit” i Roland Sejkos, prodhim i Istituto Luce-Cinecittà, që do të prezantohet më 14 shtator gjatë Festivalit të Filmit në Venecia. Pa zë jashtë kornizës, pa hyrje shpjeguese. Vetëm titra për të ndihmuar ndjekjen e një parade të jashtëzakonshme videosh propagandistike që flasin vetë. Pamje të xhiruara për dekada nga shërbëtorë të bindur të regjimit për të ndërtuar epopenë e atij satrapi të egër, këngëtar i stalinizmit.
Mes këtyre shërbëtorëve, siç tregoi vetë Sejko në filmin “Makina e imazheve e Alfredo C.” (fitues i “Nastro d’Argento” si dokumentari më i mirë në 2022), aty ishte edhe Alfredo Cecchetti, një kameraman italian i Institutit “Luce” i dërguar në Shqipëri për t’i bërë shërbimet Duçes italian, por pas 8 shtatorit dhe që në ’44 kaloi në shërbim të Duçes së ri shqiptar.
I kujton fare mirë regjizori, që prej tridhjetë vitesh jeton në Itali, por i lindur dhe rritur në vendin e shqiponjave, nga ku u largua me anijen e parë që u nis nga Durrësi drejt Brindisit në mars të 91, ato imazhe që plazmojnë adhurimin për Enver Hoxhën.
Lotët e dëshpëruara për vdekjen e despotit në 1985. Mercedesin e stërmadh tip 600, me 6 dyer që lëvizte me perdet e mbyllura dhe e vetmuar (makina private zero, të ndaluara me rreptësi) mes rrugëve të varfra, mes karrove, gomerëve dhe njerëzve që ecnin në këmbë, vetëm në këmbë. Apo marshimet festive me të rinj me kanotiere që mbanin në duar kazmat, simbolika të punës dhe ndoshta të kafkës së thyer të Lev Trockit. Apo stërvitjet e nxënësve me maskat kundragas për t’i shpëtuar sulmeve toksike të kapitalistëve.
Pastaj gjimnastet tipike të Ballkanit që rrotullonin flamuj të kuq dhe përkuleshin para komandës, duke shkruar me trupat e tyre urime adhuruese për regjimin. Mësueset që i mësonin fëmijët, siç tregon dokumentari i Sejkos “Anija” që Partia Komuniste ishte një “kështjellë e pathyeshme”. Spektaklet teatrale që ngrinin lart, fillimisht mbështetjen për Bashkimin Sovjetik, pastaj miqësinë për Kinën e Maos, me aktoret shqiptare që i kishin trukuar sytë sipas modelit aziatik.
Eksperimente me eksplozivë mbi qen, mace, ketra. Ushtarë që dilnin nga pusetat për të indoktrinuar popullin për gueriljen. Rrugë plot njerëz që bënin gjimnastikë sipas shembullit të revolucionit kulturor kinez. Pastaj mijëra shqiptarë në gjunjë për një lutje ateiste (Hoxha, në arabisht “i ditur i Islamit”, por satrapi me origjinë myslimane do t’i ndalonte të gjitha fetë) për vdekjen e Stalinit.
Dhe gjithmonë, kudo, ai Shoku Suprem. Ai që bekon turmat. Ai në pishinë. Ai në vizita në fabrika. Ai në gjueti rosash. Ai i lumtur me Josif Stalinin, me Nikita Hrushovin, me Zhou Enlain teksa, pas prishjes me Titon, ndryshonte aleanca për të mbetur në pushtet. Gati të anatemonte “tradhtarët” e radhës: “Ëndrrat e liga të imperialistëve, titistëve, hrushovianëve dhe shërbëtorëve të tyre janë pluhurosur. Ndarja e pashmangshme me revizionistët sovjetikë dhe prova që partia jonë nuk bën kompromis me tradhtarët e parimeve të marksizëm-leninizmit”.
“Nuk bëmë aleancë me Kinën për pesë lecka, por për një bashkim revolucionar.. Mao Tse Dungut dhe shefave të tjerë kinezë u dhamë disa mendime. Kur pamë se Kina po zhytej gjithnjë e më shumë në revizionizëm…” Dhe ja, në fund të viteve ’70, mijëra teknikë kinezë u ngarkuan në autobusë drejt aeroportit. Deng Xiaoping? “Një fashist i ndyrë”. Objektivi: të lavdërohej “pastërtia” e komunizmit shqiptar – në fakt, kulti i udhëheqësit. Nëse dikush bezdisej. Edhe sikur të ishte krahu i djathtë i tij: Mehmet Shehu u vetëvra. Gabimi i tij më i madh politik ishte të aprovonte fejesën e të birit me një vajzë që ka në fis, gjashtë apo shtatë armimq të shtetit”.
Romeo dhe Zhuljeta ballkanas? Por prit: “U gjetën dokumenta dhe prova të pakundërshtueshme që tregojnë se që nga fundi i luftës së parë botërore, Shehu punonte për shërbimet sekrete amerikane. Për më tepër: Gjatë luftës u rekrutua nga shërbimet sekrete jugosllave dhe nga shërbimi i KGB”. Helmi i fundit: “U shërbeu të gjithëve me zell”. Dhe ja ku u varros edhe shoku Mehmet, partizan që nga 36, me brigadat e Garibaldit në Spanjë.
Kështu ishte Enver Hoxha, autor i 40 librave mbi marksizëm-leninizmin, pretendonte (rrejshëm) se ishte diplomuar në Montpellier dhe ishte i fiksuar të ndërtonte “komunizmin e vërtetë”. E paharrueshme në “Filmin e Shtetit” mbetet një skenë ku ai dëgjonte i zbehtë raportet e ministrave për mungesën e mallrave dhe rritjen e radhëve.
“Dolën shumë probleme komplekse dhe të pazgjidhura… Sasia e mallrave është pakësuar… Radhët në dyqane janë shtuar… Disa produkte ushqimore shiten me triska…”
Plak dhe i sëmurë, ndoshta i ndërgjegjshëm se përmendorja e tij do të shkatërrohej pas vdekjes mes revoltave plot urrejte, por ende padron i një regjimi që do të zgjaste edhe 6 vjet, e mbylli jetën në vilën e tij, i kujdesur nga bashkëshortja Nexhmije. I mbështetur në kolltukun e tij, me flokët e shprishur dhe shallin e madh mbi qafë, kishte diçka nga portreti i Aristide Bruant, i pikturuar nga Toulouse-Lautrec. Një mjek që e njihte që nga vitet e rinisë në Francë tha: “Gjithmonë ka folur, menduar dhe ëndërruar frëngjisht”. Por një fjalë nuk e mësoi kurrë: liria”.