Sekreti japonez për të ndihmuar ngopjen me më pak ushqim

Në botën e ushqyerjes, ku shpesh mbizotëron konfuzioni rreth zgjedhjeve më të shëndetshme, dieta mesdhetare ka ruajtur prej kohësh statusin e saj si modeli më i ekuilibruar dhe ushqyes, i rekomanduar nga ekspertët. Por, sipas një artikulli të botuar nga National Geographic, ekziston një alternativë po aq mbresëlënëse, dieta tradicionale e Okinawas, një ishull japonez që bën pjesë në të ashtuquajturat “Zona Blu” të botës, të njohura për jetëgjatësinë e jashtëzakonshme të banorëve.
Edhe pse dieta mesdhetare mbështetet nga një sërë provash shkencore, gjithnjë e më shumë studime po konfirmojnë përfitimet e dietës japoneze, veçanërisht asaj të Okinawas. Një kërkim i publikuar në revistën Nutrients (2023) tregon se vullnetarët që e ndoqën këtë regjim për 12 javë, jo vetëm që humbën peshë, por ulën ndjeshëm nivelet e sheqerit, insulinës dhe kolesterolit. Për më tepër, ata shënuan përmirësime në mikrobiomën e zorrëve – një faktor kyç për funksione të ndryshme të trupit.
Sekreti i dietës së Okinawas
Sipas Craig Willcox, profesor i gjerontologjisë në Universitetin Ndërkombëtar të Okinawas, kjo dietë është:
E ulët në kalori, por e pasur me lëndë ushqyese dhe fibra;
-burim i mirë fitonutrientësh, përfshirë antioksidantët;
-me indeks të ulët glicemik dhe efekte të fuqishme anti-inflamatore.
Efekti anti-inflamator lidhet drejtpërdrejt me jetëgjatësinë, pasi inflamacioni ndihmon në përshpejtimin e plakjes dhe zhvillimin e sëmundjeve kronike si problemet kardiovaskulare, diabeti dhe kanceri.
Studimet gjithashtu tregojnë se konsumimi i rregullt i frutave dhe perimeve të kësaj diete përmirëson funksionin imunitar, duke rritur nivelet e antitrupave që mbrojnë trupin nga viruset dhe bakteret. Po ashtu, ushqimet e Okinawas lidhen me shëndetin afatgjatë të trurit dhe një rrezik më të ulët të demencës.
Çfarë përfshin dieta e Okinawas?
-Patate të ëmbla (veçanërisht varietete të pasura me antioksidantë)
-Sojë dhe produkte të saj
-Perime me gjethe jeshile si spinaqi dhe lakra jeshile
-Thjerrëza dhe perime rrënjore (karota, kunguj, rrepka)
-Kërpudha, alga deti, peshk
-Pak mish (kryesisht derri)
-Fruta si rrushi, bananet dhe papaja jeshile
-Erëza si shafrani i Indisë, xhenxhefili dhe hudhra
-Çaj dhe sake
Ndryshe nga dieta tipike japoneze, orizi nuk ka një rol qendror, ndërsa ushqimet e përpunuara, sheqeri i rafinuar dhe mishi i kuq konsumohen shumë rrallë. Produktet e qumështit pothuajse mungojnë, për shkak se blegtoria nuk ka qenë pjesë e rëndësishme e ekonomisë së zonës.
Mënyra e të ngrënit: hara hachi bu
Një tjetër element kyç është praktika japoneze hara hachi bu – të ndalesh së ngrëni kur ndihesh rreth 80% i ngopur. Studimet tregojnë se ndjesia e ngopjes arrin në tru me disa minuta vonesë, prandaj kjo metodë ndihmon në shmangien e teprimit me ushqim.
Ashtu si në Zonat e tjera Blu, edhe banorët e Okinawas ndjekin një stil jetese të shëndetshëm, me shumë aktivitet fizik në natyrë dhe vakte të vogla e të balancuara gjatë ditës. “Çdo gjë konsumohet me moderim,” thekson nutricionistja japoneze Asako Miyashita.