Bota

Një objekt alien në sistemin tonë diellor? Sonda e NASA-s nis hetimet për ‘gjigantin misterioz’

Çfarë misteri fsheh vërtet ky gjigant enigmatik?

Objekti ndëryjor 3I/ATLAS, i cili u zbulua për herë të parë më 1 korrik 2025 nga Kili, po udhëton me një shpejtësi të jashtëzakonshme përmes sistemit tonë diellor.

Për të zbuluar më shumë rreth origjinës dhe destinacionit të tij, ky objekt mund të kapet së shpejti nga një sondë e NASA-s. Për këtë tashmë po angazhohet edhe një anëtare e Kongresit amerikan.

Siç raporton BILD, astrofizikani i njohur nga Harvardi, Avi Loeb, e konsideron objektin të jashtëzakonshëm.

Sipas një analize të tij dhe dy kolegëve, gjiganti enigmatik me diametër deri në 20 kilometra jo vetëm që ka një shpejtësi ekstreme prej rreth 68 km në sekondë, por edhe trajektorja e tij duket si “e programuar me qëllim, sikur është zgjedhur me vetëdije”, thotë Loeb për BILD: “Objekti lëviz pothuajse saktësisht në planin e planetëve të sistemit tonë diellor – vetëm me një devijim prej pesë gradësh – gjë që ka një probabilitet prej vetëm 0,2 për qind!”

Pika më e afërt me Diellin do të arrihet më 29 tetor, kur toka do të jetë në anën tjetër të sistemit. Për Loeb, ky është momenti ideal për atë që quhet manovra Oberth: “Sondat hapësinore përdorin gravitetin e Diellit për të përshpejtuar ose ngadalësuar lëvizjen e tyre”.

Dhe nëse 31/ATLAS nuk do të rikthehet pas kalimit pranë Diellit? Loeb paralajmëron: “Atëherë njerëzimi do të zhytet në panik!”

Një studim i bashkëpërgatitur nga Loeb tregon se sonda e NASA-s Juno, e cila aktualisht ndodhet në orbitën e Jupiterit, mund të afrohet me objektin 3I/ATLAS në mars 2026 – në një distancë relativisht të vogël prej rreth 54 milionë kilometrash.

Kusht për këtë do të ishte kryerja e një manovre që në shtator 2025. Loeb dhe kolegët e tij e konsiderojnë të mundur që Juno të mundë të marrë imazhe, të dhëna spektroskopike ose matje të fushës magnetike.

Loeb tha për revistën “Grenzwissenschaft-Aktuell”: “Një foto nga afër ose një matje e fushës magnetike mund të na tregojë nëse 3I/ATLAS është natyror – apo diçka tjetër”.

Sipas llogaritjeve, 3I/ATLAS mund të ketë qenë në pjesën e jashtme të sistemit tonë për rreth 8000 vjet – pra afërsisht po aq sa njerëzit regjistrojnë historinë me shkrim.

Edhe nëse është vetëm një kometë, ky “gjigant misterioz” mbetet i rrezikshëm: në rast përplasjeje me Tokën, ndikimi i tij sipas ekspertëve do të ishte i krahasueshëm me asteroidin që zhduku dinosaurët para 65 milionë vjetësh.

Prandaj, edhe ligjvënësja amerikane Anna Paulina Luna është përfshirë tani. Në një letër zyrtare drejtuar zëvendës-administratorit të NASA-s, Sean Duffy, ajo kërkoi ndryshimin e misionit Juno për të studiuar objektin 3I/ATLAS. 

“Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për një zbulim revolucionar,” tha ligjvënësja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button