Lojtarët më të mirë të ndeshjes në veri të Europës nuk shpërblehen me trofe, por me… patate, vezë dhe mish!

Në shumicën e kampionateve të mëdha evropiane, lojtari më i mirë i ndeshjes shpërblehet me një trofe elegant dhe poza para kamerave, një ritual tashmë i zakonshëm. Por në kampionatet nordike, “MVP”-të nderohen në mënyrë krejt të pazakontë: me ushqime.
Rasti më i fundit vjen nga Superliga daneze, ku Maxime Soulas, mbrojtës francez i Sonderjyske, u shpall lojtari i ndeshjes pas një paraqitjeje të shkëlqyer dhe një goli ndaj Nordsjaelland. Çmimi i tij? Një karrocë e mbushur me 55 kilogramë patate!
Duket e çuditshme, por kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Në Norvegji, në elitën e Eliteserien, portieri i Bryne, Jan de Boer, është shpërblyer me katër kuti me vezë, ndërsa një bashkëlojtar i tij më parë kishte marrë si dhuratë një qengj të gjallë. Dhe lista vazhdon: një futbollist tjetër ka dalë nga fusha me 40 paketime të tërshërës, 100 vezë dhe 20 litra qumësht, ndërsa një lojtar i ekipit Varhaug ka marrë si “trofe” 22.6 kilogramë mish derri.
Këto shpërblime, ndonëse jo luksoze, janë mjaft praktike dhe tërheqin vëmendjen për origjinalitetin e tyre. Në vend të një trofeu për të mbledhur pluhur në rafte, lojtarët kthehen në shtëpi me produkte që mund të konsumohen, një mënyrë unike për të nderuar performancën në fushë.
Ndërsa bota e futbollit gjithnjë e më shumë shkon drejt marketingut dhe spektaklit, në veri të Evropës tradita, thjeshtësia dhe një sens humori i veçantë vazhdojnë të triumfojnë.