Life Style

Gruaja që vdiq për 11 minuta thotë se pa parajsën dhe ferrin

Ideja e parajsës dhe ferrit është pjesë e besimeve njerëzore prej mijëra vitesh, por si vende të botës tjetër, është e vështirë të dokumentohen, pasi kërkohet të jesh i vdekur për t’i parë. Megjithatë, në vitin 2019, një grua nga Kansas, SHBA, pretendon se përjetoi një udhëtim të jashtëzakonshëm në të dyja vendet, pasi u shpall klinikisht e vdekur për 11 minuta.

Charlotte Holmes, 68 vjeç, pësoi ndalim kardiak gjatë një vizite të zakonshme për kontroll të zemrës. Gjatë konsultës, tensioni i gjakut i saj u rrit në mënyrë ekstreme (234 me 134), dhe mjekët vendosën ta mbanin në spital. Pavarësisht përpjekjeve me terapi intravenoze, ajo pësoi ndalim të zemrës dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme.

Gjatë atyre minutave, Charlotte përjetoi një ndjesi “daljeje nga trupi”, duke parë veten nga sipër, ndërsa mjekët po i bënin masazh kardiak. Por më pas, sipas saj, ajo e kuptoi se ishte në parajsë. “Ndjeva erën më të bukur të luleve, dëgjova muzikë, dhe kur hapa sytë e kuptova menjëherë se isha në parajsë,” tha ajo për emisionin The 700 Club.

Charlotte përshkroi një peizazh të mrekullueshëm ku gjithçka, bar, pemë, ajri, lëvizte në harmoni me muzikën, sepse “gjithçka në parajsë adhuron Zotin.” Ajo shtoi se u udhëhoq nga engjëj, ndjeu vetëm gëzim të pastër dhe pa anëtarë të familjes së ndjerë, përfshirë prindërit dhe motrën. “Nuk kishin syze, nuk dukeshin të sëmurë apo të moshuar, të gjithë dukeshin sikur ishin në të tridhjetat.”

Ajo tregoi gjithashtu se pa një dritë të fortë pas prindërve të saj, që beson se ishte Ati i saj qiellor. Në një moment, pa edhe një fëmijë të vogël dhe dëgjoi Zotin t’i thoshte: “Është fëmija yt.” Charlotte kishte humbur një djalë kur ishte pesë muaj e gjysmë shtatzënë dhe u emocionua kur kuptoi se ai kishte vazhduar të rritej në parajsë, ku koha nuk ekziston.

Megjithatë, Charlotte thotë se Zoti e çoi edhe në ferr, ku përjetoi një erë të rëndë mishi të kalbur dhe dëgjoi britma torturuese. Kontrasti me bukurinë e parajsës ishte i tmerrshëm. Sipas saj, kjo eksperiencë i është dhënë si paralajmërim për njerëzit që të ndryshojnë sjelljen e tyre.

Pas dy javësh në spital, Charlotte u shërua plotësisht dhe prej atëherë ka ndarë historinë e saj me të tjerët. / Metro – Syri.net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button