Bota

Beteja ajrore më e madhe e dekadave: Si Pakistani rrëzoi avionin luftarak të përparuar të Indisë dhe ndryshoi balancën ushtarake në Azi

Në orët e para të 7 majit, ekrani i dhomës operative të Forcave Ajrore të Pakistanit u ndriçua me të kuqe, duke treguar pozicionet e dhjetëra avionëve luftarakë indianë përtej kufirit. Shefi i Forcave Ajrore, marshalli Zaheer Sidhu, që prej ditësh flinte mbi një dyshek pranë qendrës komanduese, ishte në pritje të një sulmi nga India. Shkak ishte bërë një sulm terrorist në Kashmirin Indian që kishte lënë 26 civilë të vdekur, për të cilin India fajësonte Pakistanin, ndonëse ky i fundit mohonte përfshirjen.

Në përgjigje të bombardimeve indiane mbi territorin pakistanez, Sidhu urdhëroi ngritjen në ajër të avionëve J-10C të prodhuar nga Kina. Objektivi kryesor: avionët francezë Rafale – krenaria e flotës ajrore indiane, që deri atëherë nuk ishte rrëzuar asnjëherë në betejë. Sipas një zyrtari të lartë të PAF, Sidhu kërkoi specifikisht “Rafalet”. Ajo që pasoi ishte një përplasje ajrore prej mbi 110 avionësh në errësirë – përballja më e madhe ajrore që nga Lufta e Gjirit.

Reuters raportoi se të paktën një Rafale u rrëzua nga J-10, duke nxitur diskutime globale për efektivitetin e teknologjisë perëndimore përballë alternativave kineze. Aksioni shënoi jo vetëm një triumf teknik për Pakistanin, por edhe një dështim të zbulimit indian, i cili kishte nënvlerësuar rrezen e raketës kineze PL-15 që u përdor në betejë. Pilotët indianë besonin gabimisht se ndodheshin jashtë rrezes së sulmit.

Pakistani kishte ndërtuar një “zinxhir vrasës” duke lidhur radarë tokësorë, avionë zbulues dhe avionët luftarakë përmes një sistemi të zhvilluar vetë, Data Link 17, që i lejoi J-10-ve të fluturonin të padiktueshëm. Ndërkohë, India ende përpiqet të krijojë një rrjet të ngjashëm, por procesi është më kompleks për shkak të burimeve të ndryshme të pajisjeve ushtarake.

Në përplasjet që pasuan më 7 maj dhe zgjatën katër ditë, India humbi disa avionë, përfshirë një tjetër Rafale dhe një Sukhoi rus, ndonëse autoritetet në Delhi nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht këto humbje. Sipas ekspertëve të RUSI-t në Londër, beteja shënoi një pikë kthese në luftën ajrore moderne, ku suksesin nuk e përcakton vetëm arsenali, por mbi të gjitha “vetëdija situacionale” dhe aftësia për të lidhur të gjitha burimet e informacionit në kohë reale.

Në fund, pas ndërhyrjes diplomatike të SHBA-ve, palët ranë dakord për një armëpushim më 10 maj, pasi India kishte ndërmarrë goditje të reja në bazat ajrore dhe radarët pakistanezë, duke përdorur edhe raketën supersonike BrahMos. Ndërkohë, akuzat se Pakistani kishte marrë informacione në kohë reale nga Kina shtuan tensionet rajonale, ndërsa Pekini i cilësoi bashkëpunimet ushtarake si “normale dhe jo të drejtuara kundër palëve të treta”.

Ky episod jo vetëm që ka rishkruar doktrinën e luftës ajrore në Azinë Jugore, por ka dhënë një sinjal të qartë për të gjitha fuqitë ushtarake të botës: në një betejë të shekullit XXI, teknologjia pa informacionin nuk është mjaft./ SYRI.net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button