Shëndet

Lëngu i panxharit ul tensionin e gjakut tek të moshuarit, ja çfarë thotë studimi i ri

Lëngu i panxharit njihet për aftësinë e tij për të ulur në mënyrë natyrale tensionin e gjakut, falë përmbajtjes së lartë të nitrateve.

Një studim i ri nga Universiteti i Exeter përforcon më tej këto përfitime, veçanërisht për të moshuarit. Sipas gjetjeve, efekti pozitiv i këtij lëngu lidhet me ndryshime specifike në mikrobiomën orale të të moshuarve.

Studimi, i botuar në revistën Free Radical Biology and Medicine, krahasoi dy grupmosha: 39 të rritur nën moshën 30 vjeç dhe 36 të rritur të moshës 60–70 vjeç. Pjesëmarrësit konsumuan dy herë në ditë për dy javë një koncentrat lëngu panxhari të pasur me nitrate. Më pas, për dy javë të tjera morën një suplement placebo pa nitrate, me një periudhë “pastrimi” prej dy javësh ndërmjet tyre.

Rezultatet treguan se konsumi i lëngut të panxharit solli një ulje të ndjeshme të presionit të gjakut vetëm tek grupi i të moshuarve. Ndërkohë, në të dy grupmoshat u vunë re ndryshime në mikrobiomën orale, megjithatë modelet ishin të ndryshme. Tek të moshuarit u vu re një rënie e baktereve të gjinisë Prevotella dhe një rritje e baktereve të dobishme si Neisseria, të cilat lidhen me shëndet më të mirë oral dhe kardiovaskular.

Profesoresha Dr. Anni Vanhatalo, e cila udhëhoqi studimin, shpjegon:

“E dimë që njerëzit e moshuar prodhojnë më pak oksid nitrik me kalimin e moshës dhe kanë tendencë të kenë presion më të lartë të gjakut – faktorë të lidhur me ndërlikime kardiovaskulare si goditja në tru dhe infarkti. Përmirësimi i dietës së tyre me perime të pasura me nitrate mund të jetë shumë i dobishëm në planin afatgjatë.”

Ajo shton se, “nëse dikush nuk është veçanërisht i dhënë pas panxharit, mund të zgjedhë burime të tjera të pasura me nitrate, si spinaqi, rukola, kopra, selinoja dhe lakra.”

Ndërkohë, bashkautori i studimit, Profesor Dr. Andy Jones, thekson: “Hulumtimi tregon se nitratet dietike ndikojnë në mikrobiomën orale në mënyrë që mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit dhe tensionit të gjakut tek të moshuarit. Këto gjetje hapin rrugën për studime të ardhshme më të mëdha që do të shqyrtojnë ndikimin e stilit të jetesës dhe gjinisë në reagimin ndaj suplementeve me nitrate.”

Studimi thekson edhe një herë rëndësinë e ushqyerjes si një mjet parandalues, sidomos në moshat e vjetra, duke treguar se edhe ndërhyrjet e vogla ditore mund të sjellin përfitime të mëdha për shëndetin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button