Life Style

Spahiu: Rrugët me gangsterë të pasur dhe halabakë ordinerë! Shteti të ndahet nga llumi

Juristi Kreshnik Spahiu flet për ngjarjen e ndodhur në Vlorë, ku një oficer policie dhe një kontigjent i skeduar i krimit dhunuan kamerierin e një lokali me shkakun ”pse u dërgoi dy shishe uji në tavolinë”. Për të Shqipëria është mbushur me gangsterë, alabakë dhe njerëz banalë, ku shumë prej tyre kanë veshur edhe kostum zyrtari, politikani e biznesmeni. Sistemi ka dështuar dhe duhet një ndryshim rrënjësor në gjithçka, pasi më shumë vlerësohet kjo kategori sesa intelektualët dhe profesionistët.

”Rasti i dhunës nga shefi i policisë ndaj dy të rinjve që punonin si kamerierë nuk është sporadik, por fenomen. Punonjësi i policisë nuk goditi vetëm një kamerier, por të gjithë shoqërinë shqiptare. Fenomen që ndodh çdo ditë. Shteti dhe vendi duhet të ndahet nga dhuna, gangsterët dhe makinat e pasura. Gangsterë që janë pjesë e promovimit të shoubizit shqiptar shpesh në media.

Rrugë të mbushura me gangsterë e alabakë, banalë dhe ordinerë, njerëz që i japin makinave si të çmendur dhe i sheh kudo. Gangsterizimi i shoqërisë shqiptare dhe alabakëria është prezente kudo, që kanë pushtuar qytete dhe institucione. Por e keqja është se shteti sillet me ta duke arritur që ata të jenë pjesë e institucioneve, me kostum zyrtari e këshilltari. E vështirë të shohësh njerëz itelektualë, sepse sillen në të njëjtën mënyrë, janë pjesë e shoqërisë shqiptare dhe dëmton jo vetëm imazhin, por edhe turizmin dhe imazhin”, tha juristi në ”Report Tv”.

Ai vuri në dukje se gansgterë dhe të dhunshëm ka kudo, por prekja dhe dhuna është e papranueshme. Teksa vuri theksin te niveli i dhunës së shoqërisë shqiptare deri në kategori të agresivitetit psikik dhe depresionit të thellë apo absurdit. Duke argumentuar se sistemi kishte dështuar, Spahiu e ilustroi me faktin se vetëm 1% e shqiptarëve kontrollonte 90% të pasurisë dhe 90% e popullsisë jetonte në nivele të ulëta të ardhurash, duke u ndjerë nën imponimin e kategorisë pakicë, por të pasur.

”Mos harrojmë se 1% e shqiptarëve kontrollon 90% të parasë në vend. Dhe 90% e shqiptarëve zotëron vetëm 1% të parasë në vend. Dhe ky 1% imponohet me pasurinë dhe arrogancën e tyre. Ka dështuar i gjithë sistemi, ndaj duhet një reformë e thellë po në të gjithë sistemin. Është momenti që shteti të ndahet nga llumi. A ka mundësi që të ndahet apo do mbetet peng i tij, kjo mbetet për t’u parë. Kjo rrugaçëri dhe gangsterizëm nuk mund të zgjidhet vetëm me ndryshimet e Kodit Penal, që janë një kuadër teorik, e dispozita që mbeten në letër”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button