Duket si pluhur, shpiket gjaku artificial

Shkencëtarët e University of Maryland School of Medicine po zhvillojnë një zëvendësues artificial gjaku që synon të stabilizojë pacientët e lënduar përpara se të mbërrijnë në spital.
Kjo zgjidhje mund të reduktojë drastikisht vdekshmërinë në vendngjarje të largëta aksidentesh dhe zona konflikti. Risia është një hap domethënës për ndërhyrjen e menjëhershme. Ajo mund të jetë në dobi të mijëra njerëzve që ndërrojnë jetë nga hemorragjia çdo vit.
Sipas Newsbytes, gjaku artificial mund të ruhet në trajtë pluhuri dhe të përdoret menjëherë nga mjekët. Ai prodhohet nga hemoglobina, proteina që transporton oksigjenin në gjak. Ajo nxirret nga gjaku i skaduar dhe kapsulohet në një flluskë yndyre duke krijuar qeliza gjaku artificial. Flluska është kyçe për të tejkaluar problemet e sigurisë që kanë ndodhur më parë me gjakun artificial.
Më pas, qelizat ngrihen dhe kthehen në një pluhur. “Kur nevojitet, një mjek mund ta përziejë me ujë dhe brenda një minuti, gjaku është gati. Mund të rezistojë për vite dhe të transportohet lehtësisht. Ideja është që mund të kryesh një tranfuzion në vendngjarjen e aksidentit”,shpjegon Allan Doctor.
Njëkohësisht, mund të përdoret nga mjekët ushtarakë për të shpëtuar ushtarët e plagosur. Deopartamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve po investon mbi 58 miliardë dollarë për të zhvilluar gjakun artificial, bashkë me elementë të tjerë.
Deri tani, gjaku ka rezultuar i suksesshëm te eksperimentet me lepujt. Ekipi shpreson që eksperimentet te njeriu të nisin pas dy vitesh./tvklan.al