Vendi

Qeveria ultimatum bizneseve pranë akseve kombëtare: Keni 7 ditë kohë të lironi territorin e zaptuar

Qeveria ka marrë pamjet e dronëve “Bayraktar” dhe atyre të policisë në akset rrugore ku është problematike situata

Bizneset të cilat janë të lokalizuara pranë akseve kombëtare duke mos respektuar distancën e sigurisë nga rruga, do të kenë 7 ditë kohë duke nisur nga sot e deri më 31 Korrik, për të liruar hapësirën e zaptuar dhe për t’u vendosur brenda pronës së tyre.

Aksioni vjen në kuadër të lirimit të hapësirave publike në të gjithë vendin, por edhe sigurisë rrugore. Bizneseve u kërkohet që të rrethojnë edhe pronën e tyre dhe të respektojnë distancën e sigurisë nga segmenti rrugor.

Paralajmërimi u bë nga ministrja e Transporteve Belinda Balluku gjatë një inspektimi në aksin Kombinat-Ndroq-Plepa. Qeveria ka marrë pamjet e dronëve “Bayraktar” dhe atyre të policisë në akset rrugore ku është problematike situata.

Një e tillë është edhe segmenti i Niklës në Fushë Krujë, aty ku bizneset janë shumë pranë rrugës së automjeteve, duke mos zbatuar aspektin e sigurisë rrugore. Nëse bizneset nuk lirojnë këto hapësira, ndaj tyre do të aplikohen gjoba.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button