Mos klikoni! Skemë mashtruese po qarkullon përmes SMS-ve, kujdes nga linket e rreme!

Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, informon qytetarët mbi një skemë mashtruese që po qarkullon së fundmi në forma digjitale, veçanërisht përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit.
Këto mesazhe përmbajnë linke të rreme, me qëllimin për të mashtruar qytetarët dhe për të marrë të dhëna të ndjeshme personale apo bankare.
Njoftimi:
Policia e Shtetit
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit informon opinionin publik lidhur me një skemë mashtruese që po qarkullon së fundi, përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit elektronik.
Shtetas ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linke të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve. Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare.
Policia e Shtetit thekson se asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linkeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë.
Për këtë arsye, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve:
Të mos klikojnë në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura;
Të mos japin të dhënat e tyre personale apo bankare në forma të dyshimta online;
Të verifikojnë çdo informacion të tillë drejtpërdrejt me institucionin përkatës (bankë apo agjenci shtetërore);
Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë strukturave të hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit vijon të ndjekë me prioritet këto raste dhe po bashkëpunon ngushtë me institucionet financiare dhe partnerët, për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.
Respektoni sigurinë tuaj digjitale!
Mos ndani të dhëna personale me burime të pasigurta!