Merr flakë makina në autostradën Lushnje–Fier, pasagjerët shpëtojnë pa lëndime

Një aksident është shënuar këtë të mërkurë në autostradën Lushnje–Fier, pranë zonës së njohur si pushimi i shoferit.
Një automjet tip Ford, i cili ishte në lëvizje, ka marrë flakë papritur dhe është djegur plotësisht, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga Lushnja.
Në mjet ndodheshin tre persona, të cilët fatmirësisht kanë arritur të dalin në kohë dhe nuk kanë pësuar lëndime. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka bërë të mundur shmangien e një tragjedie të mundshme, por automjeti është shkatërruar tërësisht nga zjarri.
Për shkak të operacionit për shuarjen e flakëve dhe menaxhimin e trafikut, janë krijuar radhë të gjata në autostradë. Shërbimet e policisë rrugore kanë qenë të pranishme në terren për të garantuar qarkullimin dhe sigurinë.
Në vendngjarje ndodhet edhe grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një defekti në sistemin elektrik të mjetit.