Eksperti rrugor: Semaforët i vendosin ata që kanë mbaruar për letërsi

Mungesa e profesionalizmit, keqmenaxhimi dhe injorimi i standardeve teknike po kthejnë qarkullimin rrugor në kryeqytet në një burim stresi dhe rreziku.
Eksperti i qarkullimit Rrugor, Fadil Likaj, ngriti alarmin në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus për mënyrën skandaloze se si vendosen semaforët dhe sinjalistika në rrugët urbane dhe interurbane të Shqipërisë.
Ai tha se semaforët vendosen pa asnjë studim të fizibilitetit, shpesh nga persona që nuk kanë lidhje me inxhinierinë e trafikut.
Sipas tij, problematika ka degraduar deri aty sa vendimmarrës për sinjalizimin rrugor janë njerëz që kanë mbaruar për letërsi, jo profesionistë.
Likaj: Pjesa e sinjalizimit apo semaforëve në zonat urbane në Tiranë është një problematikë shumë e madhe, sepse semaforët janë vendosur nga enti pronar dhe i ka lënë ashtu. Sot e kësaj dite ata semaforë pulsojnë dhe sinkronizojnë në të njëjtën formë. Mirëpo, nuk mundet që të vendosësh një semafor dhe ta vendosësh në mënyrë të fiksuar pwr shembull që përdoruesit e mjeteve do të kenë 60 sekonda me përparësi, 4 sekonda në portokalli dhe 60 sekonda në të kuqe. Kjo nuk duhet të ekzistojë, sepse fluksi i trafikut nuk është i njëjtë gjatë gjithë ditës.
Fluksi i trafikut ndryshon dhe, nëse këta semaforë nuk do të sinkronizojnë në raport me fluksin e mjeteve që qarkullojnë në zonat urbane, kjo do të rrisë trafikun, do të rrisë nivelin e stresit qoftë te këmbësorët, por qoftë edhe te drejtuesit e mjeteve. Ky është një hall më vete i entit pronar. Shumë semaforë vendosen pa një vendim, ndoshta, të ekspertëve autoteknikë, sepse bota e ka rregulluar këtë punë. Ka një degë të inxhinierisë që quhet inxhinieria e trafikut, dhe këtu në Shqipëri, atë punë e bëjnë inxhinierë mekanikë të profilizuar për transport. Këtu, semaforin e vendos një përgjegjës që ka mbaruar për letërsi, i cili vendos edhe se ku do të hapet dhe ku do të mbyllet semafori.
Kështu që, duhet bërë studimi i fizibilitetit. Studimi i fizibilitetit do të studiojë sa këmbësorë ose sa banorë ka kjo zonë, sa mjete, automjete, sa patina elektrike, sa motomjete. Ky quhet studim i mirëfilltë i trafikut në zonat urbane, por edhe në rrugët interurbane. Ne kemi shumë rrugë interurbane këtu aktualisht, të cilat nuk kanë bërë akoma ose nuk kanë mirëmbajtur sinjalizimin horizontal. Për pasojë, shumë përdorues mjetesh, automjetesh, motomjetesh, të huaj apo turistë, nuk pozicionohen dot në karrexhatë sepse nuk e dinë ku është kufizimi i rrugës. Edhe kjo është për të ardhur keq. Bëj thirrje enteve pronare, zakonisht bashkive, që të vendosin sinjalizim./vizionplus.tv