Më kanë përd*unuar, nuk i thashë askujt’/ Dëshmia: Ende e mbaj mend fytyrën e Goranit

Në kuadër të serisë “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës”, një grua që ka përjetuar këtë tmerr, ndau historinë e saj për herë të parë publikisht.
Ajo tregoi se, pas dhunimit nga forcat serbe, ishte kthyer në familje pa i treguar askujt për atë që kishte ndodhur.
Kur u ktheva, të gjithë më pyetën çfarë kam. U thashë vetëm që më kanë rrahur, kurgjë tjetër. Nuk dola më nga shtëpia deri më 13 qershor, kur jemi kthyer”, rrëfen ajo.
Ngjarja e rëndë që e kishte përjetuar, ndikoi thellësisht në jetën e saj. Ajo nuk kishte dëshiruar të krijonte familje dhe shmangte me vetëdije çdo lidhje apo mundësi për martesë.
“Sa herë më vinte mundësia për martesë, bëja gjeste të qëllimshme që të mos lidhesha me askënd”, tregoi ajo.
Megjithatë, në një fazë më të vonshme të jetës, ajo u martua dhe solli në jetë një djalë. Por, pas një kohe humbi bashkëshortin.
“Sot jetoj si një nënë shumë e lumtur me djalin tim”, rrëfen me emocione të përziera e mbijetuara.
Ajo tha se traumat e luftës nuk janë larguar asnjëherë. Disa netë i përjeton si ëndrra të këqija, e shpesh ndien dhimbje fizike në duar, si pasojë e dhunës së përjetuar.
“Njëri nga ata më mbante të shtypur me çizme. Dy ishin gjithsej. Njërin prej tyre, kriminelin, e kujtoj ende”, thotë ajo.
Kur gazetari Panduri e pyet nëse i kujtohet fytyra e Goranit, njërit prej dhunuesve, ajo përgjigjet shkurt: “Po”, raporton RTVDukagjini.