E parashikuan sërish? Rrjeti çmendet pas ngjashmërisë mes skandalit në Coldplay dhe një skene të The Simpsons

Rrjetet sociale po ziejnë pasi një moment viral gjatë një koncerti të Coldplay ka tronditur një kompani teknologjie dhe ka rikthyer teorinë e famshme se “The Simpsons” parashikojnë të ardhmen.
Gjatë koncertit në stadiumin “Gillette”, CEO i kompanisë Astronomer, Andy Byron, dhe shefja e burimeve njerëzore, Kristin Cabot, u kapën në ekranin e “kiss cam”, teksa shfaqeshin shumë të afërt. Komenti i Chris Martin nga skena vetëm sa ndezi më shumë zjarrin: “Ose janë në një lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”
Ky moment ndezi menjëherë rrjetin. Në X (ish-Twitter) dhe Facebook nisën krahasimet me një pamje të famshme të The Simpsons, ku Homer dhe Marge shfaqeshin në “kiss cam” në një episod të supozuar të vitit 2017 me titullin “Kiss Kiss”. Megjithatë, shumë e kanë hedhur poshtë vërtetësinë e fotos, duke thënë se ajo është gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe nuk është pjesë e serialit.
Kjo s’i ndaloi fansat të shpërndanin teorinë me pasion: “Ka ndonjë gjë që The Simpsons nuk e dinë? Lidhja sekrete e CEO-s me shefen e HR zbulohet në koncertin e Coldplay dhe interneti bën të vetën!”, shkroi një përdorues. Një tjetër shtoi: “The Simpsons parashikuan sërish të ardhmen me këtë histori.”
Showrunner-i i serialit, Al Jean, reagoi me humor: “Ne bëjmë satirë, jo profeci. Çdo ngjashmëri është thjesht fat.”
Ndërkohë, pasojat në Astronomer nuk kanë munguar. Kompania publikoi një deklaratë ku thuhet:
“Liderët tanë pritet të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjësi. Bordi drejtues ka nisur një hetim të brendshëm dhe së shpejti do të bëhen publike më shumë detaje.”
Andy Byron ka dhënë dorëheqjen nga posti i CEO. Bashkëthemeluesi dhe drejtuesi i produktit, Pete DeJoy, ka marrë rolin e CEO-së së përkohshëm, ndërsa kompania ka nisur kërkimet për një zëvendësues të përhershëm