Shëndet

Fier, numër i lartë i të prekurve me viroza, mbi 50 persona të prekur çdo ditë

Virozat e stinës kanë shënuar një rritje të konsiderueshme të rasteve në Qarkun e Fierit. Mjekët e Spitalit Rajonal thonë se numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore i kalon 50 çdo ditë. Ata apelojnë për konsum të lartë të lëngjeve, por jo të pijeve alkoolike. Gjithashtu, rekomandojnë shmangien e daljeve gjatë orëve të pikut për shkak të rrezikut nga temperaturat e larta.

Temperaturat e larta gjatë muajve qershor dhe korrik kanë sjellë një shtim të rasteve të virozave stinore në urgjencën e Fierit. Nëndrejtori i Spitalit Rajonal, Erblin Dollaku, pohon se numri i vizitave ditore varion nga 30 deri në 50 raste, ndërsa thekson se grupmoshat më të prekura janë ato nga 30 deri në 40 vjeç.

Mjekët e Spitalit Rajonal të Fierit shprehen se janë evidentuar edhe raste me komplikacione për shkak të temperaturave të larta që kanë zgjatur për disa ditë, çka ka detyruar disa pacientë të kërkojnë trajtim më të specializuar, duke u hospitalizuar.

Bluzat e bardha theksojnë se kjo është një situatë që përsëritet çdo vit gjatë kësaj periudhe. Ata apelojnë për kujdes të shtuar, sidomos nga personat me sëmundje kronike, të cilët duhet të shmangin daljet gjatë orëve të pikut, pasi temperaturat janë të papërballueshme. Mjekët gjithashtu bëjnë thirrje për konsum më të lartë të lëngjeve dhe për shmangien e pijeve alkoolike dhe duhanit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button