Dënohen dy burra për prerjen e pemës ikonë pranë Murit të Hadrianit

Ata e prenë për më pak se tre minuta, por dëmi që lanë pas do të kërkojë dekada për t’u shëruar. Pema historike Sycamore Gap, një nga simbolet më të dashura të Anglisë pranë Murit të Hadrianit, u rrëzua më 27 shtator 2023 nga dy burra që tani janë dënuar me katër vite e tre muaj burg secili.
Adam Carruthers, 32 vjeç, dhe Daniel Graham, 39, udhëtuan në mes të një stuhie, 30 milje nga Cumbria në Northumberland, për ta prerë këtë pemë shekullore. Veprimi i tyre u përshkrua nga prokurorët si një “mision idiot”, që shkaktoi mbi 620 mijë paund dëme dhe tronditi emocionalisht mijëra njerëz në të gjithë Britaninë.
Në sallën e gjyqit në Newcastle, gjyqtarja Lambert i cilësoi ata si të shtyrë nga dëshira për famë. “Ju e shijuat vëmendjen. U ndiet krenarë për një krim që tronditi gjithë vendin,” tha ajo.
Sycamore Gap nuk ishte thjesht një pemë. Ishte kujtim kolektiv, pjesë e filmit “Robin Hood: Prince of Thieves”, ikonë peizazhi dhe një ndalesë shpirtërore për këdo që ecte pranë Murit të Hadrianit.
Sot, një pjesë e trungut ndodhet në ekspozitë publike, ndërsa 49 fidanë të saj janë ruajtur për të mbjellë kujtesën sërish, por pema vetë, ajo nuk do të kthehet më.