Kush të ka paguar” – Mevlan Shanaj reagon ashpër ndaj Baton Haxhiut, pas kërkesës për mbylljen e RTSH-së

Regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj, ka replikuar me Baton Haxhiun, pasi ky i fundit kërkoi mbylljen e RTSH-së.
“Baton Haxhiut!
Ke vite që në median shqiptare shfaqesh si një ndër analistët e shumtë, duke stërthënë apo mbrojtur interesa të caktuara politike dhe jo ato publike, si po thuaj të gjithë ju të paguarit!
Po që të vije në mënyrë publike me guxim dhe mendim të ditur “për mbylljen e RTSH” kjo ide shkatërrimtare nga ti po më çudit!
Baton, mënçuri nuk është të shkatërrosh, por të ndërtosh! Jam ndër themeluesit e RTSH së! Një institucion si RTSH mbrohet me krijimtari serioze! Krijimtaria i jep personalitet atij institucioni!
Grupi yne arriti të ndërtonte një televizion me atë arkiv që citoni ju! Sipas meje ka disa vite që nuk është politika ajo që deformon nivelin artistik të RTSH por paaftësi e menexhimit në përthithje të personelit me ambicje krijuese!
Nga sa kam kuptuar, aty është mbytur roli i regjisorit apo gazetarit krijues! Vetëm këto figura krijojnë fytyrën artistike!
Sa për garën politike mendoj se RTSH është shumë komod, pasi forcat politike kanë nënshtruar kanalet private të cilat janë nonstop media në shërbim të përfaqësimit respektiv politik nën shëmbëlltyrën e shëmtuar të politikës siç behej në redaksitë politike në RTSH vite të shkuara, por ne të krijimtarisë artistike e kishim fituar garën me spektakle, koncerte, dokumentarë, drama apo filma!
Ne kishim publikun me vete! Baton, jepe kontributin tënd për t’i shërbyer publikut shqiptar me ide krijuese dhe jo shfaruese!
Kam bindje se distancimi nga format artistike apo programet ciësore sociale ka çimentuar distancimin nga publiku!
Lidhur me idenë për të ftuar specialistë nga BBC, kjo rrugë duhet ndjekur duke mos u mbyllur, por duke transformuar me ndërhyrje të veçanta!
Tokës i ndërrohen bimët por nuk e groposin! Po të thotë një njeri që punoi më se 30 vjet në atë institucion që e di çdo të thotë kontroll, censurë dhe dënime, por jo deri në këtë pikë siç po thua ti, pasi kam dëgjuar në këto kohë dhe fjalën asgjesim!
Hapësirat publike nuk janë të nevojshme vetëm për teritore, por edhe për botën e komunikimit, informacionit dhe artit”, shkruan Shanaj në reagimin e tij.
Ndërkohë, për idenë e tij ka reaguar edhe Arben Malaj.
Postimi i Malajt
Ndaleni, shokun Baton, këtë “zjarrvënës” përçarës në kohezionin krahinor dhe në kulturën shqiptare. Para pak ditësh, ky shpifës jo i paqëllimshëm ndoshta Veton Surroi e di më mirë se kushdo pse e paguajnë shtrenjtë, nxiti përçarje krahinore, kur deklaronte se e majta nuk e kthen dot kokën nga Veriu për keqtrajtimin që i ka bërë gjatë kohës së komunizmit.
Një gjë është e vërtetë: në varfërinë tonë materiale ishim të barabartë, njësoj siç theksonte Churchill: “Kapitalizmi ndan në mënyrë të pabarabartë pasurinë, ndërsa socialistët ndajnë në mënyrë të barabartë varfërinë.”
Të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore kishin të njëjtën pagë si në Tiranë, në Tropojë dhe në Sarandë.
Mësuesit, mjekët, ndihmës -mjekët, drejtuesit dhe punëtorët në çdo institucion dhe ndërmarrje homologe kishin një sistem pagash të barabartë, nga Veriu në Jug.
Një pjesë e mirë e minierave dhe industrisë përpunuese ishte në Veri, ku pagat ishin të mira dhe zbutnin varfërinë.
Në shkollat e mesme dhe universitete ne ishim njësoj dhe respektonim maksimalisht njëri-tjetrin, madje edhe duke u martuar pa asnjë dallim krahinor, etnik apo fetar.
I vetmi moment kritik ishte pas vitit 1990, kur me të drejtë shumë banorë të zonave veriore zbritën, edhe duke zaptuar toka në rrethinat e Tiranë dhe qyteteve të tjera të mëdha. Atëherë pati fodullë dhe shpirtzinj, edhe si ju, Baton, që i quajtën padrejtësisht “çeçenë”.
Por ata u integruan shumë mirë, punojnë në institucione dhe ndërmarrje publike, kanë bizneset e tyre, sakrifikuan për mirëarsimimin e fëmijëve dhe përmirësuan kujdesin shëndetësor dhe mundësitë për punësim.
Edhe në SHBA, brenda shteteve ka diferenca të ndjeshme në të ardhurat për frymë.
Baton, paraja e pistë nga burime edhe kriminale, tek disa analistë të parapaguar – edhe nga shërbimet sekrete të vendeve jo miqësore me Shqipërinë, SHBA-në dhe BE-në – ku shpesh në media përmendet edhe emri juaj, klasifikohet si aktivitet kriminal i dënueshëm deri me burg.
Provoi Berisha në vitin 1997 të keqpërdorte vëllezërit tanë fisnikë të Veriut si mercenarë kundër Jugut, dhe dështoi turpshëm.
Një provë e qartë, Baton, është edhe fakti që konkurrimi politik në këto 33 vite nuk ka nxitur dhe as ka krijuar ndasi krahinore.
Të majtët dhe të djathtët kanë bastionet e tyre, por kurrë nuk kanë nxitur urrejtje krahinore.
Vëllezërit tanë nga Veriu e gëzojnë bregdetin e vendit të tyre deri në Ksamil si në shtëpinë e tyre.
Po ashtu, sikurse ne ndjehemi të respektuar dhe si në shtëpinë tonë në çdo pjesë të Veriut tonë fisnik – për nga shpirti i tyre dhe nga magjia e mrekullive natyrore.
Në fillim të viteve 2000, Banka Botërore nuk deshi të investonte asnjë dollarë në Bathore, ku ishin zhvendosur me të drejtë dhjetëra-mijëra bashkëkombës tanë nga Veriu. Kjo sepse BB nuk investon asnjëherë në toka me konflikte pronësore në asnjë vend të botës.
Ishte qeverisja socialiste deri në vitin 2005 që garantoj Bankën Botërore se zgjidhja e çdo konflikti pronësor mbetej përgjegjësi e qeverisë shqiptare.
Bathorja pas viteve 2000 kishte shumë vështirësi për drita, ujë dhe kanalizime.
Pas një diskutimi të brendshëm, përballë një zhvendosjeje të mijëra familjeve nga Veriu, ne përzgjodhëm opsionin e legalizimit për të zhvendosurit nga Veriu, përpara urbanizimit.
Nëse do të kishim përzgjedhur urbanizimin si hapin e parë, do të kishte më pak kosto financiare, por shumë më shumë kosto shpirtërore, të papërballueshme.
Do të nxitej ndarja Veri–Jug.
Vendi do të shkiste në instabilitet shoqëror dhe politik, nga ku do të përfitonin dhe do të fërkonin duart vendet jo miqësore dhe emisarët e tyre mediatikë të mirë-parapaguar.
Qeverisja nuk është numra, por vlera njerëzore, që nuk të lejojnë të braktisësh shtresat në nevojë dhe klasën e mesme.
Vetëm qeveritë e numrave varfërojnë qytetarët e tyre për të pasuruar oligarkët e tyre.
Tani ti hedh helmin e dytë:
Kërkon publikisht shkatërrimin e RTSH-së, pasurisë më të madhe të identitetit tonë kombëtar!
Çdo njeri i kulturuar do të ofronte opsione ristrukturimi, jo shkatërrimi.
Mos të kanë detyruar oligarkët, Baton, të ndezësh këtë flakë shkatërruese në RTSH?
Sepse mbi truallin e RTSH-së po përflitet ngritja e kullave të oligarkëve, për të cilët ti je shërbyesi më i babëzitur dhe pa asnjë limit moral?
Ndal, bre Veton,
se Shqipëria ka shumë më shumë se ty – personalitete të kulturës shqiptare, që e duan këtë vend dhe nuk vetë-shiten për para të pista.
Ndal, bre Baton,
se personalitetet e kulturës shqiptare kanë rrënjë atdhedashurie shekullore,
ndërsa ju jeni një bar i keq që mbin dhe lulëzon kudo ku ushqehet me para të pista, dhe vetëvetiu ofrohet për shërbime të pista.