Çfarë është sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore THAAD që sapo ka blerë Arabia Saudite

Arabia Saudite e ka ëndërruar prej kohësh këtë moment. Më 1 korrik 2025, ajo shpalli zyrtarisht se bateria e saj e parë e sistemit amerikan të mbrojtjes kundër raketave THAAD (Terminal High Altitude Area Defense) është plotësisht operacionale. Lajmi u bë publik gjatë vizitës në mbretëri të gjeneralit Erik Kurilla, komandant i CENTCOM-it, Komandës Qendrore të SHBA për Lindjen e Mesme.
Ky aktivizim është rezultat i një kontrate të nënshkruar në vitin 2017, me vlerë 15 miliardë dollarë, për blerjen e 7 baterive THAAD, që përfshijnë 44 lëshues, 360 raketa interceptuese, 16 stacione kontrolli, 7 radarë AN/TPY-2, si dhe një paketë të plotë logjistike dhe mirëmbajtjeje afatgjatë. Ndërsa një bateri kërkon rreth 100 ushtarë për operim, nuk është ende e qartë nëse trupa amerikane do të stacionohen në vend për ta operuar sistemin. Arabia Saudite synon gjithashtu të prodhojë në vend kontenierë transporti për raketat dhe pjesë të lëshuesve, në përputhje me ambicien për më shumë pavarësi teknologjike.
Konteksti rajonal dhe sfidat gjeopolitike
Ky zhvillim ndodh në një moment të tensionuar rajonal, pas luftës mes Izraelit dhe Iranit, që ka shtuar frikën në Riad për zgjerimin e konfliktit. Më 2 maj 2025, SHBA miratoi shitjen e 1,000 raketave ajër-ajër AMRAAM për 3.5 miliardë dollarë, si dhe më herët sisteme të armëve precize. Një marrëveshje më e gjerë, që përfshinte edhe normalizimin me Izraelin dhe një klauzolë mbrojtjeje të ndërsjellë, duket e pezulluar për shkak të luftës në Gaza dhe refuzimit të Izraelit për të mbështetur krijimin e një shteti palestinez.
Me sistemin THAAD, Arabia Saudite ndjehet më e mbrojtur ndaj sulmeve të mundshme nga rebelët Houthi apo hakmarrjeve iraniane.
Çfarë është THAAD dhe si funksionon?
Sistemi THAAD, i zhvilluar nga Lockheed Martin që nga fundi i viteve ’80 dhe operativ që nga 2008, është projektuar për të interceptuar raketat balistike me rreze të shkurtër, mesme dhe të ndërmjetme, në fazën e tyre terminale, pra kur zbresin drejt objektivit, në lartësi shumë të madhe ose në kufi me hapësirën.
Ndryshe nga sistemet që përdorin shpërthime afër objektivit, THAAD përdor teknologjinë “hit-to-kill” (gjuaj për të vrarë), ku raketa interceptuese godet fizikisht objektivin me shpejtësi të lartë, pa eksploziv, duke siguruar neutralizim të pastër dhe preciz.
Përbërja e një baterie THAAD
– 6 lëshues të montuar në kamionë, secili me 8 raketa (48 raketa në total)
– Radar AN/TPY-2 me dy mënyra funksionimi: “forward-based” (zbulim në distanca mbi 3,000 km) dhe “terminal” (ndjekje precize e trajektores)
– Njësi komanduese dhe kontrolli për koordinim me sisteme të tjera
THAAD nuk është i përshtatshëm për dronë apo municione të ulëta, ndaj funksionon në bashkëpunim me sistemet Patriot PAC-3 dhe Aegis, duke krijuar një mbrojtje të shtresuar për skenarë të sulmeve masive.
Efikasiteti dhe kostoja
– Gati 100% sukses në testime
– Çdo bateri kushton 1 deri në 1.8 miliardë dollarë
– Çdo raketë interceptuese kushton 12 deri në15 milionë dollarë
Përhapja globale e THAAD
Sipas Lockheed Martin, deri në vitin 2023, 9 bateri THAAD ishin të vendosura në botë, përfshirë 2 në Emiratet e Bashkuara Arabe. SHBA kishte vendosur THAAD në Arabinë Saudite në 2019 për mbrojtjen e infrastrukturës së naftës, por i tërhoqi në 2021. Sistemi u përdor për herë të parë në rajon nga Izraeli në tetor 2024, me rreth 95 trupa amerikane./tvklan.al