Sport

FORMULA 1/ Pas 20 vitesh, Christian Horner shkarkohet nga “Red Bull”

Christian Horner është shkarkuar nga Red Bull pas 20 vitesh si drejtues i ekipit të Formula 1.

51-vjeçari ishte në krye të Red Bull Racing që prej krijimit të saj në vitin 2005, duke udhëhequr ekipin drejt tetë titujve kampion bote për pilotë – katër me Sebastian Vettel dhe katër me Max Verstappen.

Vendimi vjen pas muajsh me formë në rënie të skuadrës dhe përplasje të brendshme në nivelet më të larta, si dhe 17 muaj pas akuzave për ngacmim seksual dhe sjellje kontrolluese ndaj një punonjëse nga brenda ekipit. Horner ishte shpallur dy herë i pafajshëm nga kompania mëmë Red Bull GmbH.

Red Bull ka liruar Christian Horner nga detyrat operacionale duke filluar nga sot dhe ka emëruar Laurent Mekies si CEO të Red Bull Racing,” thuhet në deklaratën zyrtare të Red Bull GmbH të mërkurën.

Gjatë drejtimit të tij, Red Bull fitoi gjashtë tituj në kampionatin për konstruktorë dhe u bë një nga skuadrat më të suksesshme dhe tërheqëse në Formula 1.

“E falënderojmë Christian-in për punën e jashtëzakonshme gjatë 20 viteve të fundit,” tha Oliver Mintzlaff, shefi ekzekutiv për projektet korporative dhe investimet në Red Bull. “Ai do të mbetet gjithmonë pjesë e rëndësishme e historisë së ekipit tonë.”

Shkarkimi i Horner vjen në një kohë pasigurie për të ardhmen e yllit Max Verstappen. Kampioni i katërfishtë i botës ka kontratë me Red Bull deri në vitin 2028, por thuhet se është në bisedime me Mercedes për një kalim të mundshëm sezonin e ardhshëm.

Këtë sezon, Red Bull ka fituar vetëm dy gara, ndërsa McLaren ka kaluar në epërsi si skuadra më konkurruese. Rënia e formës nisi që në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, kur Verstappen fitoi vetëm dy nga 14 garat e fundit, megjithatë siguroi titullin e katërt radhazi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button