Sport

Milani i kujdesshëm me ofertat, Tare e Allegri me objektiva të qarta në merkato

Milani i ri i drejtuar nga Igli Tare dhe Massimiliano Allegri po lëviz me hapa të kujdesshëm në merkato, pa lëkundur themelet e projektit.

Prioriteti aktual i kuqezinjve është mesfushori Jordan Jashari, për të cilin klubi është në pritje të “po”-së përfundimtare nga Bruges. Oferta prej 33 milionë eurosh plus 5 milionë bonuse mbetet e pandryshueshme dhe nuk ka afate skadimi.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Jashari do të ishte blerja e dytë e vërtetë e epokës Tare, pas transferimit të Luka Modric. Fillimisht ishte menduar për Granit Xhakën, për të sjellë eksperiencë në mesin e fushës, por përfundimisht zgjidhja erdhi nga brenda Serie A me afrimin e Samuele Riccit – një marrëveshje e nisur para ardhjes së Tares dhe e përmbyllur në pak orë.

Pas Jasharit, fokusi do të zhvendoset te mbrojtësit e krahut, me emrin e Doué që qëndron në krye të listës. Shpenzimet për këtë repart pritet të jenë të moderuara.

Ndërkohë, për të sjellë sulmuesin që do të shoqërojë Gimenez-in në repartin ofensiv, Milani do të duhet të presë ndoshta deri në mesin e gushtit, kur pritet të nisin lëvizjet e zinxhirit nga klubet e mëdha të Premier League.

Aktualisht, me një buxhet prej rreth 25 milionë euro, drejtuesit kuqezinj janë të përmbajtur dhe në pritje të ndonjë rasti të favorshëm. Një emër si Dusan Vlahovic nuk është në plane – si për arsye ekonomike, ashtu edhe për vlerësimet teknike.

Në anën e daljeve, negociatat me Como për shitjen përfundimtare të Alvaro Moratës mund të zgjasin. Galatasaray është i gatshëm ta lirojë lojtarin vetëm pasi të gjejë zëvendësuesin e tij. Kjo lëvizje është e lidhur ngushtë me çështjen Osimhen, i cili nuk do të largohet nga Napoli pa paguar klauzolën e plotë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button