Life Style

Historia e grimit!

Ndryshimet e pësuara që nga Egjipti i lashtë deri më sot

Historia e grimit nis në Egjiptin e lashtë. Rreth 4000 vite p.e.s., ky civilizim i hershëm e krijoi dhe nisi të përdorë grimin, një zakon që i reziston kohës ende sot. Në Egjipt, make up-i kishte funksion religjioz dhe ishte pjesë e ritualeve të përditshme, pasi besohej se bukuria i jepte kënaqësi syve të perëndive dhe mbronte nga forcat e së keqes.

Për këtë arsye, filluan të përdornin dhe përpunonin pluhurat minerale për ngjyrosje, si dhe vajra apo balsame për lëkurën, të cilat përgatiteshin nga krerët e tempujve. Një ndër simbolet më të njohura ishin sytë e theksuar me konturim, duke përdorur atë që sot njihet si Kohl apo Kajal, një laps i zi mjaft i fortë, për të cilin përdorej minerali galena. Në fytyrë aplikohej një përzierje mineralesh me efekt zbardhues.

Në atë periudhë të largët antike, grimi nuk ishte vetëm për gratë, por përdorej nga të dyja gjinitë dhe kishte për qëllim të shprehte përkatësinë e klasës shoqërore. Konturimi i syve besohej gjithashtu se kishte efekte terapeutike, mbronte nga infeksionet dhe nga rrezet e forta të diellit. Zgjatimi anash i syve kishte simbolikë të qartë, i referohej perëndisë Horo, dhe konsiderohej mbrojtës fizik dhe shpirtëror.

Në botën klasike, grekët e lashtë i kushtonin shumë vëmendje bukurisë dhe estetikës. Madje, në disa raste aplikoheshin gjoba për gratë që shfaqeshin në publik pa u kuruar. Produkti më i përhapur ishte një zbardhues minerar, që i jepte lëkurës një ngjyrë të zbehtë—simbol i pastërtisë dhe virtytit. Ky preparat ishte shpesh helmuese dhe përdorimi i vazhdueshëm mund të shkaktonte edhe vdekje.

Edhe romakët i kushtonin shumë rëndësi kujdesit për pamjen, duke adoptuar zakone nga grekët. Në Romë, madje u publikuan manuale bukurie, si ai i Ovidit, që përmbante këshilla për të fshehur imperfeksionet e lëkurës.

Gjatë Mesjetës, historia e make-up-it përjetoi “errësirën” e vet. Në këtë periudhë, kujdesi për trupin ishte pak i përhapur, pasi Kisha e dënonte kozmetikën, e konsideronte të panevojshme dhe ndonjëherë të dëmshme për integritetin shpirtëror. Megjithatë, në raste të veçanta grimi përdorej, me përbërës si pluhur plumbi, uthull dhe mjaltë, që me kalimin e kohës e dëmtonin rëndë lëkurën.

Me Rilindjen italiane, periudha kur lulëzuan artet, edhe kozmetika rifitoi rëndësi të madhe. Kjo periudhë sillte një estetikë klasike, të ndikuar nga harmonia dhe përkryerja. Çdo gjë në grim dhe pamje duhej të reflektonte madhështi, bollëk dhe ekzagjerim. Në epokën Rococo, kjo ndjesi arriti kulmin, grim i fortë, modele të fryra flokësh, veshje ekstravagante.

Epoka Viktoriane (1700–1800) u karakterizua nga një kod moral i rreptë, ku modestia dhe serioziteti ishin në qendër. Grimi i tepruar shihej me skepticizëm dhe përdorej kryesisht nga aktoret apo prostitutat. Ideali ishte lëkura si porcelan, delikate dhe e zbehtë, portreti i “zonjës së respektuar”.

Shekulli XX solli një revolucion në kozmetikë. U shfaqën shtëpitë e para kozmetike dhe ndryshuan kanonet estetike. Gruaja nuk duhej të ishte më e zbehtë, pasi kjo interpretohej si shenjë sëmundjeje; tani theksi vendosej te ngjyrat natyrale dhe shëndeti i dukshëm.

Pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në vitet ’50, eksplodimi i ngjyrave në grim pasqyroi zhvillimet socio-kulturore. Grimi u bë simbol i emancipimit femëror, rebelimit rinor dhe materializmit të viteve ’80.

Në ditët e sotme, grimi, kujdesi për flokët, trupin dhe estetika janë në epiqendër të jetës moderne. Kozmetika është gjithnjë e më shumë e përqendruar te teknologjia dhe inovacioni, dhe ka një vlerë tregu vjetore prej afro 500 miliardë dollarësh./Tv Klan

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button