FESTA E GRURIT NE APOLONI.

Nën rrënojat antike të Apolonisë u zhvillua edicioni i 8-të i Festës së Grurit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe agroturistike në vend. Qindra vizitorë nga Fieri, Shqipëria dhe diaspora u bënë pjesë e atmosferës festive, duke e kthyer Apoloninë në qendrën e traditës, kulturës dhe mikpritjes myzeqare.

E organizuar nga Bashkia Fier me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, festa kishte në fokus promovimin e trashëgimisë folklorike dhe bujqësore të Myzeqesë. Panairet me produkte vendase, gatimet tradicionale dhe elementët e kulturës bujqësore ishin ndër pikat më të vizituara të aktivitetit.

Për pjesëmarrësit në panair, Festa e Grurit mbetet një mundësi e mirë për promovimin e grurit vendas dhe të traditave të zonës. Sipas tyre, pavarësisht vështirësive dhe rënies së prodhimit në vitet e fundit, bujqësia vijon të mbetet një sektor i rëndësishëm për Myzeqenë
Manifestimet tradicionale dhe bujqësore ishin shtylla kryesore e festës. Parada e Kurorave të Grurit riktheu në kujtesë traditat e hershme të Myzeqesë dhe lidhjen e fortë të banorëve me tokën.

Kulmi i mbrëmjes ishte koncerti me pjesëmarrjen e mbi 30 artistëve, të cilët sollën një natë plot emocione dhe festë për mijëra të pranishmit.


Me një pjesëmarrje të lartë dhe një atmosferë unike, Festa e Grurit konfirmoi edhe një herë statusin e saj si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, turistike dhe identitare të kalendarit veror shqiptar.



