Secili prej jush është i veçantë për mua.

Ditën e parë të shkollës, mësuese Teresa u ngrit para klasës dhe, me një buzëqeshje të qetë, tha:
— Premtoj t’ju trajtoj të gjithëve me dashuri dhe respekt. Secili prej jush është i veçantë për mua.
Por iu deshën vetëm disa ditë që ajo të kuptonte se nuk do të ishte aspak e lehtë.
Midis të gjithë nxënësve, një në veçanti i tërhoqi vëmendjen, Rafaeli. Ai gjithmonë vinte me rroba të pista, nuk i dorëzonte detyrat e shtëpisë, flinte në orën e mësimit ose shqetësonte shokët e klasës. Mësuese Teresa u përpoq të provonte çdo metodë për ta ndihmuar, por asgjë nuk dukej se funksiononte.
E lodhur dhe e dekurajuar, ajo iu drejtua drejtoreshës, duke shfryrë:
— Nuk di më çfarë të bëj! Ky fëmijë nuk ka dëshirë të mësojë. Unë jam mësuese, jo dado për fëmijë të llastuar!
Drejtoresha, pa thënë asnjë fjalë, hapi një sirtar dhe i dha asaj një zarf që përmbante dosjen e shkollës së Rafaelit.
Pa shumë entuziazëm, mësuese Teresa filloi të lexonte. Por ndërsa vazhdonte, zemra e saj u drodh.
Klasa e parë: “Rafaeli është një fëmijë i zgjuar, shumë i dashur me shokët e klasës.”
Klasa e dytë: “Ai është një nxënës i shkëlqyer, por duket më i trishtuar. Nëna e tij është e sëmurë rëndë.”
Klasa e tretë: “Vdekja e nënës ishte një traumë shkatërruese. Rafaeli ka humbur çdo interes për shkollën. Babai i tij duket i painteresuar dhe mendojmë se mund të jetë abuziv.”
Klasa e katërt: “Gjithnjë e më shumë i tërhequr. Ai nuk ka shokë. Duket se dëshiron të fshihet nga bota.”
Lotët filluan të rridhnin në fytyrën e mësuese Terezës. Për herë të parë, ajo po e shihte Rafaelin për atë që ishte në të vërtetë, jo një fëmijë problematik, por një fëmijë i plagosur dhe i vetmuar, që kërkonte ndihmë në mënyrën më të dëshpëruar që dinte.
Të nesërmen, nxënësit mbërritën të entuziazmuar për festën tradicionale të Krishtlindjeve dhe shkëmbimin e dhuratave. Të gjithë kishin sjellë dhurata shumëngjyrëshe, të mbështjella bukur. Rafaeli me droje e vendosi dhuratën e tij në tavolinën e mësuese Terezës, një qese letre e rrudhur.
Disa nga shokët e tij të klasës qeshën. Por mësuesja e hapi paketën me kujdes dhe ëmbëlsi. Brenda ishte një byzylyk i vjetër, me disa gurë që mungonin, dhe një shishe parfumi pothuajse bosh.
E qeshura u bë më e fortë. Por mësuese Teresa, pa thënë asnjë fjalë, e vuri byzylykun në kyçin e dorës dhe spërkati qafën me parfumi. Heshtja ra menjëherë në klasë.
Rafaeli ishte i fundit që doli nga klasa. Para se të largohej, ai u kthye nga ajo dhe, me një zë të dobët, pëshpëriti:
— Sot… sot ti mban erë si mamaja ime.
Në atë moment, mësuese Teresa kuptoi gjithçka. Dhe qau.
Që nga ajo ditë, diçka ndryshoi thellësisht. Ajo vendosi që jo vetëm t’i mësonte Rafaelit të lexonte dhe të bënte matematikë, por edhe të besonte përsëri në dashuri, besim dhe në vetvete.
Kur mësimet rifilluan pas pushimeve, ajo mbante të njëjtin byzylyk dhe parfum. Rafaeli e vuri re. Dhe për herë të parë, ai buzëqeshi.
Me kalimin e kohës, ai filloi të përpiqej më shumë. U kthye të dëgjonte me kujdes, të bënte detyrat e shtëpisë, të merrte nota të mira. Në fund të vitit, mësuese Teresa ishte e sigurt: Rafaeli ishte nxënësi i saj më i veçantë.
Vitet kaluan.
Një ditë, mësuese Tereza mori një letër. Duart e saj po dridheshin ndërsa e hapi. Ishte nënshkruar nga Rafaeli.
“Mësuese e dashur,
sot u bëra mjek. Do të martohem. Dhe nuk mund të imagjinoj askënd më të rëndësishëm se ti, që të jetë në vendin e nënës sime.”
Ditën e dasmës, Mësuese Tereza u shfaq duke mbajtur të njëjtin byzylyk dhe parfum si nëna e Rafaelit. Kur e pa, sytë e tij u ndriçuan. Pa menduar, ai vrapoi ta përqafonte.
Me zërin e tij të thyer nga emocionet, ai tha:
— Gjithçka që jam, ta kam borxh ty.
Dhe me lot në sy, ajo u përgjigj:
— Jo, Rafael. Ti je ai që më mësove mësimin më të madh të jetës sime, ti më mësove se çfarë do të thotë vërtet të jesh mësues…
Përktheu: Fatmir Shqarri…



