Një përmbledhje e ngjarjeve më të përfolura të javës në showbiz-in shqiptar

Iku dhe një javë e mbushur plot me zhvillime. Lufta në Gaza nuk është ndalur ende, Trump vazhdon të mbajë “peng” Europën, Jeff Bezos do bëjë dasmë dhe katastrofat natyrore nuk kanë të ndalur.
Por, këtu jemi mbledhur për gjëra më të rëndësishme, hallet e vërteta të shqiptarëve dhe ndodhitë që na diktojnë përditshmërinë: Si po iu shkon jeta personave shumë të rëndësishëm në mejhanen tonë. Ndaj për këtë qëllim kemi përmbledhur lajmet më të klikuara të kësaj jave.
E nisim me diçka shumë serioze: Fero kapërdin atë që ka thënë.

Po, po, tha që nuk do i rikthehej më kurrë muzikës, por jo vetëm që iu kthye shtojzovalleve, madje shau edhe ish-bashkëshorten.
Ëngjëlli në krahun e tij të djathë ka disa ditë që ka thënë dorëheqjen me motivacionin se “nuk mundet dot më”. Djalli po buzëqesh!
Arbana rikthehet në TV?

Arbana shet akoma edhe pa “Top”-in, por sërish mundësia e rikthimit në ekran duket mjaft entuziaste. Moderatorja postoi një Instastory ku zgjidhte fustanet e reja për një projekt televiziv dhe të gjithë po pyesim veten se ku e si do e shohim. Jemi në pritje edhe ne, po të dinim më shumë, do ua thonim.
1 bie 1000 ngrihen!

“Big Brother” po mbaron, “Ferma VIP” po fillon. Të tjerë yje, të tjera drama. Por, kush do sakrifikojë lirinë për pak aventurë? Disa nga emrat i dimë dhe i gjeni në këtë artikull.
Mariela Berisha rrezikon 3 vite burg

Harrojini çfarë shkruam mësipër, drama e vërtetë është kjo: Prokuroria kërkoi burg me 3 vite për Mariela Berishën. Urojmë që të gjitha ju që e keni klikuar lajmin ta keni marrë mesazhin: Po nuk ia vlen moj zonjë! Për një burrë?!!!
Dalina gabon!

Sa vdesim që dikush të gabojë! Ja, të gjithë në kërkim të gabimeve të Dalinës. Në fakt i vetmi gabim në këtë histori është që mbase ndonjëra nga ju nuk e ka parë “The Dalina Show”. Çfarë po prisni?
Ledjona Xheladinaj flet për largimin nga “Piranjat” dhe propozimin e Top Channel

Ledjona nuk ishte shumë e lumtur me ish-kolegët e saj nga “Piranjat”, të cilët nuk i shkruan as edhe një mesazh pas aksidentit të rëndë që pësoi (të paktën sipas saj). Po ashtu, llogaritë nuk i kishin dalë shumë mirë as me Top Channel, kjo për faktin se Youtube e paguan shuuumë më mirë.
Për habi, Rudina Dembacaj thotë se s’ishte gabim ftesa e Antonelës në ‘Goca&Gra’

Ftesa e Antonelës në një emision që mbështet vajzat dhe gratë, pasi ajo u përfshi në një sherr të dhunshem, nuk ishte edhe aq gabim.
Kështu u shpreh Rudina Dembacaj, një nga panelistet e emisionit “Goca &Gra”.
“Nuk mendoj se ishte ndonjë gabim i madh që u ftua. Asaj iu dha mundësia, iu dha koha televizive. Që në momentin e parë mendova që Antonela do kërkonte një falje publike dhe do i bënte shumë mirë. E kërkoi faljen, por mua s’më ‘ngopi’.”, tha ajo.