Vdekja e Maradonës në “shtëpinë e tmerrit”, arrestohet truproja e legjendës argjentinase

Ish-truproja i Diego Maradona, Julio Cesar Coria, është arrestuar gjatë gjyqit që po zhvillohet në lidhje me vdekjen e legjendës së futbollit argjentinas.
48-vjeçari Coria akuzohet për dëshmi të rreme nën betim gjatë procesit gjyqësor ndaj shtatë mjekëve të akuzuar për neglizhencë kriminale në kujdesin ndaj Maradonës.
Prokurori Patricio Ferrari deklaroi se Coria gënjeu kur tha se nuk kishte komunikuar me mjekun personal të Maradonës, Leopoldo Luque, para vdekjes së tij dhe se nuk kishte marrëdhënie miqësore me të. Megjithatë, mesazhet në ËhatsApp treguan se ata kishin diskutuar për shëndetin e Maradonës dhe madje kishin planifikuar një barbekju së bashku.
Gjithashtu, Coria fillimisht nuk përmendi në deklaratën e tij se psikiatrja Agustina Cosachov kishte tentuar reanimacionin kardiopulmonar (CPR), por më vonë e pohoi këtë në gjykatë.
Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, nga një atak kardiak, ndërsa po shërohej nga një operacion për heqjen e një mpiksjeje gjaku në tru. Shtatë profesionistët e shëndetësisë, përfshirë mjekun personal dhe psikiatren, po përballen me akuza për vrasje me dashje të mundshme, një akuzë që mund t’i çojë deri në 25 vite pas hekurave.
Prokurorët argumentojnë se kujdesi që Maradona mori ishte jashtëzakonisht i pamjaftueshëm dhe se protokollet e nevojshme mjekësore u injoruan, duke e përshkruar mjedisin e rikuperimit të tij si një “shtëpi tmerri”.
Gjyqi ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe pritet të zgjasë disa muaj, me mbi 100 dëshmitarë të thirrur për të dëshmuar. Sakaq, arrestimi i Corias përbën një kthesë dramatike në këtë proces gjyqësor, duke shtuar tensionet dhe kompleksitetin e çështjes, ndërsa familja dhe fansat e Maradonës kërkojnë drejtësi për vdekjen e tij.