Ditë “ferri” për të korruptuarit, Trump rikthen ekspertët amerikanë në SPAK, si po “qepen” letrat për arrestimin e…

Ditë “ferri” për të korruptuarit, Donald Trump rikthen ekspertët amerikanë në SPAK, si po “qepen” letrat për arrestimin e bajlozëve të politikës, “dosjet e nxehta” janë gati, maji sjell surpriza
Pa i mbushur dy muaj nga largimi pas vendimit të administratës Trump, menjëherë sapo ai mori pushtetin dhe urdhëroi ndërprerjen e fondeve ndërkombëtare, ekspertët amerikanë janë rikthyer në Shqipëri. Rikthimi i tyre pritet të sjellë lëvizje të reja dhe tension në kampin e atyre që ndihen të rrezikuar nga drejtësia e re. Paraditen e djeshme, një prej ekspertëve të OPDAT, agjencisë së Departamentit të Drejtësisë në SHBA, ka hyrë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ky zhvillim ka rikthyer vëmendjen te roli i amerikanëve në reformën në drejtësi dhe ka alarmuar ata që kanë frikë se mund të jenë shënjestra të reja të hetimeve.
Largimi i përkohshëm i ekspertëve nga SPAK dhe GJKKO u interpretua nga mediat, kreu i PD, Sali Berisha, që tashmë është vetë i pandehur për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme, kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të opozitës si një braktisje e reformës në drejtësi nga SHBA. Rama tha në 25 shkurt të këtij viti, se Amerika nuk është më që të mbrojë SPAK-un dhe se ai mund ta shkrijë SPAK-un kur të dojë, mjafton t’i fishkëllejë një herë Bufit të Kënetës, duke iu referuar Sali Berishës.
“Tani Amerika nuk është më. Amerika i kishte njerëzit e vetë që asistonin SPAK, hynin e dilnin në mëngjes e pasdite tek stacioni i Trenit, nuk janë më. I ka tërhequr Amerika dhe për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona, keni dëgjuar ndonjë fjalë të ambasadës amerikane”, tha Rama. Por kjo lëvizje nga administrata “Trump” ndryshon narrativën, duke treguar se mbështetja amerikane për drejtësinë në Shqipëri mbetet e fortë. Me dosjet e nxehta gati dhe ekspertët amerikanë për të asistuar drejtësinë e re, pritet që maji të sjellë zhvillime të bujshme. Kush ka llogari për të dhënë, duket se nuk do ta ketë më të lehtë të shmanget.
SPAK mbështetje të fortë nga amerikanët
Gazeta “SOT” raportoi gjithashtu se një figurë kyçe e SHBA në mbështetjen e SPAK për të çuar pas hekurave të paprekshmit është edhe Colleen Hyland, e cila është emëruar së fundmi si Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Hyland është një diplomate me përvojë të gjatë, e cila ka shërbyer në misione të rëndësishme diplomatike të SHBA-së, përfshirë Bagdadin, Kabulin dhe Prishtinën, ku ka mbajtur pozitën e zëvendësambasadores nga viti 2016 deri në 2019. Ajo flet shqip dhe ka një angazhim të veçantë në luftën kundër korrupsionit, duke e bërë atë një aleate të rëndësishme në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri. Një ndër personat që ka takuar kur ishte vitin e kaluar në Tiranë ka qenë Altin Dumani.
Dosjet e nxehta
Mbështetja që tashmë Donald Trump i dha publikisht SPAK në këto momente është shumë e rëndësishme, pasi Prokuroria e Posaçme po intensifikon punën për të zbardhur disa nga çështjet më të ndjeshme dhe të komplikuara që kanë tronditur skenën politike dhe institucionale të Shqipërisë. Përmendim këtu aferën e inceneratorit të Tiranës, ku po hetohet shpërdorimi i miliardave dhe përfshirja e politikanëve të tjerë të lartë. Gërdeci, ku hetimi për tragjedinë e 2008-s, mund të shkojë përtej ish-ministrave, duke prekur direkt familjen “Berisha”.
Dumani tha vitin e kaluar se për këtë çështje po bashkëpunon me SHBA. SPAK po heton dhe 21 Janarin për krimin shtetëror dhe vrasjet e 4 protestuesve, me përgjegjësinë e shtetit. Po hetohen dhe aferat me fondet e bujqësisë. Hetime për korrupsion dhe manipulim fondesh nga ish-ministrja Frida Krifca. Tjetërsimi i pronave. Hetime për manipulimin e pronave, sidomos në zonat bregdetare dhe urbane, dhe pastrim parash. Aferat në ushtri. Hetime për shpërdorim fondesh dhe manipulim pronash në Ministrinë e Mbrojtjes. Aferat në shëndetësi. Hetime për korrupsion dhe vjedhje të miliona eurove, përfshirë ministren Ogerta Manastirliu. Hetime për punonjës të policisë, gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në aktivitete kriminale përmes aplikacionit “Sky”. Hetime për korrupsion dhe lidhjet e ish-agjentit të FBI-së “McGonigal” me kryeministrin Edi Rama./sot.com.al