Lajme

Berisha prezanton programin e biznesit: Taksë e sheshtë 10%, ulje e detyrimit të sigurimeve shoqërore, TVSH zbret në 15%! Ne jemi për krijimin e zonave të lira ekonomike

Kryetari i PD, Sali Berisha ka prezantuar programin e biznesit, gjatë një takimi me shoqatat e biznesit. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se taksa e sheshtë do të jetë 10%, ndërsa premtoi edhe ulje të detyrimit të sigurimeve shoqërore.

Berisha u ndal edhe te TVSH, për të cilën theksoi se ajo do të zbresë në 15%. Të rinjtë mbi 25 vjeç dhe gratë kryefamiljare që duan të hapin biznes, Berisha garantoi për ta zero taksa.

FJALA E BERISHES

Ne e konsiderojmë jetike një ndërhyrje emergjente, një revolucion të vërtetë në ekonomi me të cilin ne besojmë se do shënojmë një kthesë rrënjësore.

Së pari, ne jemi dhe mbetemi të zotuar para biznesit për një revolucion të ri të vërtetë fiskal.

Berisha prezanton programin e biznesit: Taksë e sheshtë 10%, ulje e

Ne besojmë se paratë në kontot e tyre janë më të vlefshme për shoqërinë dhe qytetarët se sa në kontot e qeverisë, sepse kjo u jep mundësi të mëdha punësimi dhe zgjerimi të aktivitetit.

Ndaj dhe ne do kalojmë në një sistem fiskal në të cilin së pari do ketë stabilitet të atij sistemi.

Kodi nuk do mund të ndryshohet siç është ndyshuar gjatë këtyre viteve me ndikime nga më absurdet, por kodi do miratohet në fillim të 4-vjeçarit, dhe ai kod do merret apriori e drejtë e dhënë për biznesmenin dhe nuk mund të ndryshojë në disfavor të tij.

Do vendoset taksa e sheshtë 10 përqind. Ne jemi për taksën 10 përqind, taksa e shekujve dhe mijëvjeçarëve e njerëzimit. Është faktuar si taksa më e drejtë, është faktuar si taksa që i jep frymëmarrje ekonomisë.

E kemi eksperimentuar ne në vitin 2005 dhe jo vetëm që nuk patëm ulje të të ardhurave, por patëm dyfishim.

Por, taksa 10 përqind do mbetet ndjellëse për të gjitha taksat e tjera.

Ne do ulim progresivisht detyrimin e sigurimeve shoqërore.

Ne po shkonim drejt saj dhe absolutisht ai ishte një veprim shumë i drejtë. Nuk mund të them se kjo do bëhet në 100 ditët e para, por kjo do bëhet në mënyrë të padiskutueshme.

TVSH-ja nuk ka më tabu. Do zbritet në 15 përqind me qëllim për të zbritur edhe më poshtë.

Nuk mund të besoj unë se ai 20-përqindëshi është një nivel i shenjtë dhe nuk do preket. Do preket, do e ulim në 15 përqind. E kemi pasur dikur 12.5 përqind. Tani do zbresim tek 15-a për të parë se ku mund të zbresim përsëri.

Energjia elektrike do jetë më e lira në Europë. 6 lekë për kilovat orë. Shqipëria ka çdo potencial për të furnizuar biznesin me 6 lekë kilovat orë. Kaskada e Drinit e bën të mundur për çdo sipërmarrje energjetike. I fryjnë ata kostot duke punësuar një armatë militantësh dhe kostot i paguajnë qytetarët dhe biznesi. Pra, nga 18-24 lekë që është tani, do zbresë në 6 jetë dhe do jetë ndër vendimet e para të 100-ditëshit.

Taksa e shitjes së pronës do ulet në 2 përqind nga 15 përqind që është.

Çmimi i karburanteve në pikat e shitjes me pakicë do jetë plus/minus 10 përqind me çmimin në Kosovë dhe Maqedoni. Nuk do shkojnë më njerëzit me mbushë serbatorët në zonat kufitare. Ata e shesin më lirë se taksa në një litër naftë është 1.1 euro këtu, nuk ekziston në asnjë vend tjetër. Tjerët e shesin 1.1 euro në pompa, ne i vendosim taksë 1.1 euro. Merr fund kjo.

Do reduktohet me 4 herë numri i inspektimeve. Inspektorët janë jo vetëm grabitës të mëdhenj të kohës së bizneseve. Ngulen aty dhe po t’u përllogaritësh ditët që humbet biznesi me inspektorët, mund të shkojnë në 50 ditë. Ne do instalojmë sistemin dixhital të inspektimeve. Kontrollet do bëhen mbi bazën e analizës së riskut.

Ne kemi objektiv të arrijmë në 30 përqind të PBB-së të ardhurat buxhetore, por ne jemi të bindur se kjo ulje jo që nuk do pakësojë, por do rrisë të ardhurat buxhetore.

Do ketë përjashtim nga taksat për 5 vite për të gjithë ata shqiptarë që kthehen dhe investojnë në vendin e tyre.

Sikundër taksa lokale nuk do jetë kurrë më shumë se 1 përqind e xhiros vjetore. Se ky ç’ka bërë? E ka bërë taksën zero për bizneset e vogla dhe janë dhjetëfishuar taksat lokale gjer në taksa antikushtetuese. Bashkia thotë vendos taksë për arsimin po ku e gjen ti të drejtën të vendosësh një taksë për arsimin kur arsimi është një sistem i qendërzuar? Dhe tani nuk dihet ku ka shkuar taksa.

Do bëjmë gjithçka për punësimin e të rinjve. Do marrim përsipër për çdo të ri të punësuar një vit sigurimet shoqërore.

Çdo i ri që investon gjer në moshën 25 vjeç, pa taksa. Po kështu edhe gratë kryefamiljare.

Ne jemi për krijimin e zonave të lira ekonomike.

Në rast se vështron 34 vite, Shqipëria nuk arriti të ketë zonat e lira ekonomike, në një kohë kur fqinjët tanë i kanë sukses të vërteta. Maqedonia ka 6 dhe po shton të tjera. Serbia ka 18.

Pra, ne do të bëjmë gjithçka për të filluar me 4 zona ekonomike dhe pastaj sipas mundësisë.

Në zonat ekonomike nuk do lejohen investime nga offshore sepse kthehen qeveritarët dhe sjellin ato që i kanë vjedhur dhe kjo e bën të pamoralshëm zonën e lirë ekonomike.

Ne kemi pasur dhe kemi ngritjen e një banke zhvillimi.

Natyrisht kjo bankë zhvillimi do ngrihet në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare në mënyrë që të ketë të gjitha garancitë.

Ju shtruat disa çështje shumë seriozë dhe unë po ndalem në një prej tyre, çështja e Gjykatës Administrative.

Çfarë ndodh sot? Unë e kam thënë me dhjetëra herë, ne nga kjo që pësoi drejtësia pas reforme, ne humbasim miliarda euro të ngrira, të bllokuara në çështje civile midis jush, midis shtetit, në tërësi.

Unë sot nuk di një investitor serioz të huaj që të vijë në këtë vend ku ka zero siguri juridike. Sepse nuk ka proces. Në qoftë se i thua do presësh 10 vite, ai nuk është proces.

Por unë kërkoj që të ngrini zërin për këtë.

Pse? Ku jemi ne sot? Ne jemi sot në një përballje me pasoja të tmerrshme ekonomike, ligjore, të drejtave të njeriut në këtë reformë, të cilës i dalin zot në një përçmim të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm ndaj shqiptarëve.

Pse e them këtë? Sot për çështjet civile duhet të presësh 10 vjet apo 15 vjet dhe kjo nuk po vjen duke u pakësuar. Ishin 130 mijë dosje, tani janë 150 mijë dosje.

Dhe po të pyesësh, thonë reforma. Çfarë reforme? Reformë që u mohon shqiptarëve të drejtën e procesit ligjor.

Po dënohen zyrtarë, për zyrtarë mbani një statistikë ju lutem, Kina komuniste dënon më shumë se çdo vend tjetër, por dënon edhe politikisht, ndaj edhe quhet diktaturë komuniste.

Berisha prezanton programin e biznesit: Taksë e sheshtë 10%, ulje e

E sjell këtë shembull sepse shqiptarët kanë nevojë urgjente për një rireformim të këtij sistemi me Komisionin e Venecias.

Sepse ky ortek po bëhet gjithnjë e më i madh. Dosjet po bëhen gjithnjë e më të mëdha, biznesmenët, qytetarët nuk marrin të drejtat e tyre.

Ju jap shembullin e Kinës, Kina është më e ashpra për dënimet për korrupsion, por Kina jep edhe dënime politike.

E vërteta është se ka një klimë biznesi të pakrahasueshme sepse nuk pret kush 10 vite. Sepse një biznesmen falimenton për 10 vite.

Pra është një çështje që ju duhet të ngrini zërin tuaj.

Sigurisht ne e ngremë zërin tonë sepse nuk mund të pranojmë një drejtësi politike, por ju si biznes, qytetarët duhet të ngrenë çështjen se atyre u mungon procesi ligjor që është një e drejtë themelore e tyre.

Prandaj këtu duhet një partneritet i përbashkët, t’i themi gjërat siç janë.

Dakord, u dënuan disa zyrtarë, por kjo nuk justifikon që të presë një popull i tërë për një proces 10 vite, 15 vite.

Jemi këtu, 62 përqind e të burgosurve në Shqipëri janë të paraburgosur, për definicion të pafajshëm, të padënuar.

Ne u bëmë një vend, kape e fute sepse nuk ka gjykatës për ta shqyrtuar, nuk ka prokuror për të ndjekur dosjen.

/OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button