Life Style

“Piva 2 teke raki dhe ngatërrova biletën” – Aventura që zhvendosi gazetaren britanike për të jetuar në Shqipëri

Alice Taylor, një britanike që jeton prej shtatë vitesh në Shqipëri, ka ndarë historinë e saj të pazakontë gjatë një interviste në Euronews Albania. E ftuar në emisionin “Interview”, ajo tregoi se si një udhëtim i shkurtër në Tiranë, i nisur krejt rastësisht, u shndërrua në një vendim për të ndërruar jetën.

Fillimisht, Alice kishte planifikuar të qëndronte vetëm tre ditë në kryeqytetin shqiptar. Duke qenë në Qipro në atë kohë, ajo zgjodhi Tiranën si destinacionin më të lirë për një vizitë të shkurtër. Por gjithçka ndryshoi pas një problemi shëndetësor dhe një incident të vogël me një gotë raki.

Ditën e dytë pata një problem me veshin dhe doktori më këshilloi të shtyja udhëtimin edhe për tre ditë, pasi do të ishte e rrezikshme të fluturoja me dhimbje veshi,” rrëfeu ajo.

Në përpjekje për të marrë ilaçet, Alice ndaloi në një lokal të vogël, ku pati një bisedë të këndshme me disa banorë vendas.

“Isha në një kafe dhe aty takova dy burra të moshuar që donin të flisnin me mua, edhe pse nuk dinim asnjë gjuhë të përbashkët. Gruaja në banak më ofroi dy teke raki, dhe unë pranova. Kur u ktheva në hotel për të ndryshuar biletën, planifikoja ta shtyja vetëm për tre ditë, por për shkak të rakisë, pa kuptuar, bleva një biletë për 3 javë,” tregoi ajo me humor.

Gjatë atyre javëve, Alice thote se u dashurua me Tiranën dhe atmosferën e saj. Ajo u ndje e sigurt dhe e mirëpritur nga vendasit, duke e bërë të mendojë për një ndryshim të madh në jetën e saj.

“Ndihesha shumë mirë këtu, dilja vetëm në darkë, ecja rrugëve pa problem dhe njerëzit ishin shumë miqësorë,” tha ajo.

Pas kësaj periudhe, ajo vendosi të kthehej në Qipro vetëm për të marrë rrobat dhe macet e saj, për t’u shpërngulur përfundimisht në Shqipëri. Tashmë, Alice ka ndërtuar një jetë të re këtu dhe nuk e ka menduar më kthimin pas./TEMA

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button