Life Style

Komeditë e gënjeshtërta dhe drama e qindra familjeve në diktaturë

Te pjesa ku përmendej emri i tim eti, mësuesi m’u drejtua: “Lexo!”- U çova në këmbë dhe thashë që nuk lexoj, se im atë nuk ka pushuar njeri nga puna. “Dil përjashta!”. Të nesërmen, kur ishim të gjithë të rreshtuar përjashta, dhanë njoftimin që mua më kishin dëbuar nga Organizata e Pionierit. Kur hyra në shkollë, në gazetën e murit pashë një karikaturë, dhe në fund të saj me shkronja të mëdha kishin shkruar: “Poshtë borgjezia!”…. “Gazi” i shoqërisë me skenare të pavërteta komedish dhe drama e mijëra fëmijëve që u përballën me një version tjetër të historisë së etërve të tyre

Në vitin 1948, Besim Levonja do të shkruante një komedi që do të përkthehej në gjuhë filmike përmes komedisë me të njëjtin titull “Prefekti”. Ishte një vepër e bazuar mbi të pavërteta që tallej dhe denigronte një figurë të rëndësishme të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Për më tepër, ky autor i ri, me ideale komuniste,  kishte shpëtuar, gjatë luftës, falë zemërgjerësisë së Qazim Mulletit, personazhit kryesor të veprës së tij tallëse, “Prefekti”. Komedia do të kthehej në një dramë shkatërruese për jetën e birit të Qazim Mulletit, Reshatit, por edhe të nënës së tij, bashkëshortes së Qazim Mulletit, Hajrijes.

Qazim Mulleti

Komedia mori shpejt famë dhe pushtoi të gjitha skenat e vendit. E gjithë shoqëria tallej me batutat e kësaj komedie. Shenjestër ishte padyshim Reshiti dhe Hajrija, pasi Qazim Mulleti ishte arratisur. I biri, Reshiti, u rrit i tallur, i ndërkëmbur dhe i dënuar me internime, por drama më e madhe e jetës së tij ishte tallja e figurës së të atit. Por cila ishte e vërteta e kësaj figure, Qazim Mulleti?

I diplomuar në Universitetin e Gallatasarajt dhe më tej në Akademinë diplomatiko-ushtarake të Vjenës, ai ishte një nga poliglotët e rrallë që ka pasur Shqipëria. Njihte dhe fliste turqisht, greqisht, gjermanisht, arabisht, serbisht, italisht, latinisht dhe frëngjisht. Emrin e tij e hasim në ngjarjet kryesore historike të Shqipërisë që nga shpallja e Pavarësisë me ngritjen e flamurit në Tiranë dhe në Vlorë, më tej si një prej katër adjutantëve të Princ Vidit, si pjesëmarrës energjik në Kongresin e Lushnjes, si komandant i forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve nga serbët, mbështetës i qeverisë së parë në Tiranë, e më tej i pozicionuar në radhët e opozitës si fanolist i bindur. Që prej shtypjes së revolucionit të qershorit 1924, ai merr rrugët e mërgimit. Në Vjenë martohet me Hajrie Kusin dhe pati një djalë të vetëm: Reshitin, i cili u rrit pothuajse me figurën e munguar të të atit. Pas pushtimit të Shqipërisë, Qazim Mulleti kthehet në atdhe, ku ushtron për pak vite detyrën e kryebashkiakut të Tiranës dhe atë të prefektit. Në fund të Luftës, ai merr sërish rrugën e mërgimit i bindur se situata do të përmirësohej dhe do të rikthehej në atdhe. Por regjimi u vendos për një kohë të gjatë dhe ai nuk i pa më kurrë bashkëshorten dhe djalin e vetëm.

Janë me qindra rastet e propagandës bazuar mbi të pavërteta që shkaktuan dramë e tragjedi në familjet e kundërshtarëve të regjimit. Një situatë të ngjashme ka kaluar edhe Reshat Kripa, i dënuar politik. Ai ka rrëfyer një ndër momentet më të vështira të jetës së tij, kur ishte ende fëmijë në klasë të gjashtë. Do të ishte përballja me mësuesin e letërsisë për një tregim ku personazhi që denigrohej ishte i ati.

“Mbaj mend, një rast në klasën e gjashtë, në orën e letërsisë: po komentonim një tregim të Aleks Çaçit. Aty tregohej historia e një punëtori që punonte në një fabrikë vaji dhe nga varfëria e madhe vodhi një shishe vaji, dhe pronari e diktoi dhe e pushoi nga puna. Po për çudi, Aleks Çaçi i kishte vënë emrin Qazim pronarit si personazh. Qazim, si im atë, që ishte i vetmi që kishte fabrikë vaji në qytet. D.m.th. tingëllonte sikur i kishte ndodhur këtij kjo punë. Mësuesi i letërsisë quhej Kiço Rruci dhe ishte nga Bregu. Ai e kishte zakon që u kërkonte nxënësve të lexonin me radhë secili një pjesë nga tregimi, deri në fund. Kur më erdhi radha mua, e kapërceu dhe i kërkoi të lexonte shokut që kisha pranë. Por kur erdhi puna në fund ku përmendej emri i tim eti, më drejtohet mua dhe më thotë: “Lexo!” Unë nuk lexoja dot; çfarë të lexoja?! U çova në këmbë dhe thashë që nuk lexoj, se im atë nuk ka pushuar njeri nga puna. “Dil përjashta!” më tha dhe më nxori. Shkova në shtëpi e kur im atë më pyeti se pse u ktheva herët nga shkolla, ia tregova se çfarë kishte ndodhur. “Do të vij nesër të takohem me drejtorin,” tha. Të nesërmen, kur ishim të gjithë të rreshtuar përjashta, dhanë njoftimin që mua më kishin dëbuar nga Organizata e Pionierit. Kur hyra në shkollë, në gazetën e murit pashë një karikaturë, dhe në fund të saj me shkronja të mëdha kishin shkruar: “Poshtë borgjezia!” S’kishim ç’të bënim. Babai shkoi të takonte drejtorin. Quhej Dhimitër Lakuriqi. Ishte burrë i mirë. I tregoi im atë se çfarë kishte ndodhur, por përgjigjja e tij qe: “O Qazim, ca gjëra nuk i kam as unë në dorë”. Nejse iku kjo punë… Mbas nja një viti, m’u hoq ai përjashtimi nga Organizata e Pionierëve”, rrëfen Reshat Kripa./kujto.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button