Life Style

“Toka Jonë”, të (pa)vërtetat e një drame në komunizëm

Roli i shkrimtarëve të diktaturës në përforcimin e dhunës dhe përballja e fëmijëve dhe familjeve të kundërshtarëve të regjimit me propagandën denigruese

Drama “Toka Jonë” e shkrimtarit Kolë Jakova, për shumicën konsiderohej një vepër e arrirë, për më tepër filmi me të njëjtin titull i realizuar nga propaganda e diktaturës, ishte e parapëlqyer nga turmat. Por kjo dramë do të kthehej  në më shumë sesa një tragjedi për familjen e Gjon Sykut, personazhi mbi të cilin është sajuar historia e kësaj drame. Fëmijët e Gjon Sykut do të përballeshin me talljen dhe denigrimin që vinte si pasojë e kësaj drame dhe më pas me burgjet e diktaturës. Prelë Syku ka rrëfyer pasojat që ka ndeshur  nga kjo dramë me autor Kolë Jakovën por edhe të pavërtetat që shkruhen aty.

“Në vitin 1944, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ne kemi qenë strehë nacionalistësh. Te ne, gjenin strehë të dyja palët, si Abaz KupiHysni Dema, Fiqiri Dinia që ishin nacionalistë të vërtetë, ashtu edhe batalioni ‘Antonio Gramshi’ që kishin pikëpamje komuniste. Një palë në një dhomë e një palë në dhomën tjetër. Në vitin ‘44, kur u pa që fitoi komunizmi, Abaz Kupi me dy djemtë e mëdhenj Petritin dhe Cemin dhe me dymbëdhjetë vetë të tjerë, i kemi përcjellë deri në det. Komunistët arrestuan të zotin e shtëpisë dhe një tjetër të familjes. I mbajtën nja dy net dhe i lëshuan pasi e dinin që nuk ishim marrë me politikë, por ishim thjesht një shtëpi pritëse.

Vuajtjet vazhdonin. Sikur të mos mjaftonin këto, Kolë Jakova bëri edhe atë dramën “Toka jonë”, ku Gjon Nik Sykun e bëri personazh të dramës, Tuç Makun siç e njohim të gjithë, kur Gjoni në të vërtetë, prirej nga vullneti për t’ia falur dikujt një copë tokë. Gjoni ishte i zoti i shtëpisë, gjyshi im.

Në vitin 1951, më morën ushtar bashkë me një kushëririn tim të quajtur Tom Ded Syku, me të cilin isha moshatar. Na çuan në repartin e punës në Brar, aty ku sot është Kinostudioja. Atje ishim tamam si të burgosur: të veshur me rroba të këqija, me opinga dhe trajtoheshim keq. Na erdhi biles një ditë Petrit Dumja dhe na tha: “Mos mendoni se ju kemi sjellë kot; të gjithë sa jeni këtu, e keni nga një laraskë në biografi. Disa, që për ambicie kanë bërë lutje, i kemi nën shqyrtim dhe do t’i transferojmë në reparte të rregullta”.  Kështu që kushëririn ma transferuan në Berat. Ishte koha kur po ndërtohej aerodromi i Kuçovës”, rrëfen Prelë Syku./kujto.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button