Sport

Çfarë ndodhi?! Ngelin pa bileta për ndeshjen me Andorrën, “Tifozat Kuq e Zi”: Hakmarrje tipike nga ana e FSHF-së

“Nëse ekipi kombëtar i futbollit ka pasur një arsye të mos ndihet inferior edhe kur humbja ka qenë e prenotuar, është sepse Tifozat Kuq e Zi kanë qenë gjithnjë aty”

Shqipëria do të luajë më 24 mars me Andorrën në “Arenën Kombëtare”, por duket se në këtë ndeshje do duhet të bëjë pa tifogrupin “Tifozat Kuq e Zi”.

Tifozeria e Kombëtares ‘Tifozat Kuq e Zi’ ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale se nuk ka bileta të rezervuara për ta dhe se për herë të parë pas 21 viteve veprimtari të Tifozave Kuq e Zi janë lënë pa bileta. Sipas grupit, arsyetimi nga FSHF ka qenë se duan gjithëpërfshirje.

Njoftimi i plotë nga Tifozat Kuq e Zi:

Të nderuar anëtarë, si asnjëherë më parë në këto 21 vite veprimtari të Tifozave Kuq e Zi, jemi lënë pa bileta për ndeshjet e Kombëtares!

Në këto 21 vite, jo rrallëherë TKZ përbënte njerëzit e vetëm që rrinin në shkallët e stadiumit, kur nuk kishte kushte, kur nuk kishte rezultate, ku nuk kishte stadium, ku nuk kishte tifozë, pasi atëbotë përkrahja e Kombëtares konsiderohej marrëzi.

Nëse ekipi kombëtar i futbollit ka pasur një arsye të mos ndihet inferior edhe kur humbja ka qenë e prenotuar, është sepse Tifozat Kuq e Zi kanë qenë gjithnjë aty. Janë ndërruar trajnerë, lojtarë e stadiume, ndërsa të vetmit që kanë qenë të përhershëm pranë ekipit kombëtar kanë qenë Tifozat Kuq e Zi.

Tani në vitin 2025, kur jemi kualifikuar dy herë në Europian, dhe kur ekipi kombëtar ka nisur të korrë rezultate, e kësisoj edhe rritjen e kërkesës për bileta, jemi penalizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Përmes një emaili që kemi pranuar, pasi disa insistimesh, nga ana e zyrtarëve të FSHF-së jemi njoftuar se nuk do të ketë bileta të pararezervuara sikurse ka ndodhur në këto 21 vite, me arsyetimin se dëshirojnë gjithëpërfshirje dhe mundësi edhe për ata që nuk janë pjesë e grupeve tifozerike.

Ky arsyetim përveç që nuk qëndron, nuk është as i sinqertë dhe për më tepër është hakmarrje tipike nga ana e FSHF-së, për kundërshtimet tona ndaj organizimit të kampionatit të përbashkët me serbinë dhe kur dihet që këta të fundit i kemi edhe në grup, në kualifikueset për botëror./gsh

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button