Ujë me limon ose uthull molle për mëngjes/ A është vërtet e shëndetshme?

Ideja tingëllon joshëse: Nëse në mëngjes përzieni lëngun e një gjysme limoni ose pak uthull molle me ujë të vakët dhe e pini me stomakun bosh, po bëni diçka të mirë për shëndetin tuaj. Thonë se tretja stimulohet dhe metabolizmi nxitet. Yjet si Beyoncé, Jennifer Aniston dhe Gwyneth Paltrow thuhet se betohen për këtë recetë. Të njëjtën sugjerojnë edhe influencuesit e shumtë që e përhapin këtë trend në internet.
Por nuk ka shumë prova shkencore që ta vërtetojnë këtë thotë dietologia gjermane Fiona Steinberger. Sigurisht, limoni përmban vitaminë C dhe është antioksidant dhe është i mirë për sistemin tonë imunitar. “Por vështirë se ka ndonjë studim cilësor që vërteton një efekt pozitiv të ujit me limon në mëngjes”, – sqaron ajo.
Në përgjithësi, një gotë e madhe me ujë të vakët në mëngjes nuk është sigurisht një ide e keqe. Kjo rregullon ekuilibrin e ujit, sepse trupi zakonisht dehidrohet gjatë natës. Shpesh thuhet se limoni stimulon tretjen dhe prodhimin e lëngjeve gastrike. Por kjo nuk është e vërtetë, thotë Steinberger. Sipas saj edhe vetëm uji i vakët me stomakun bosh stimulon tretjen, “kështu që nuk keni nevojë për limon”.
Nëse preferoni një shije me pak limon, kjo është mirë, për aq kohë sa mund ta toleroni mirë, thotë ekspertja. Kjo sepse jo të gjithë mund ta tolerojnë acidin askorbik që përmban limoni me stomakun bosh, në rastin më të keq, mund të shkaktojë në urth, diarre ose të vjella.
Përveç kësaj, duhet të ruani edhe shëndetin e dhëmbëve, paralajmëron Steinberger. Acidi që gjendet në lëngun e limonit mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve. Prandaj, nëse pini ujë me limon, nuk duhet t’i lani dhëmbët menjëherë pas kësaj. Furça do të intensifikonte efektin negativ ndaj dhëmbëve.
Ka edhe diçka tjetër që duhet mbajtur parasysh: pija mund të jetë e vakët, por jo e nxehtë. Vitamina C nuk është rezistente ndaj nxehtësisë. Ajo shkatërrohet në temperatura mbi 70 gradë. Në përfundim Steinberger thotë për këtë trend: “Nuk ndihmon, nuk dëmton”.
Uthull molle për sheqerin në gjak
Është një histori e ngjashme edhe me uthullën e mollës. Edhe këtu shpesh pretendohet se një gotë ujë me një ose dy lugë uthull molle në stomak bosh është një mrekullibërës i vërtetë. Supozohet se stimulohet tretja dhe forcohet flora e zorrëve. Thuhet se pothuajse asnjë ilaç tjetër në shtëpi nuk ka aq shumë efekte pozitive sa uthulla e mollës.
Studimet janë të pakta për këtë çështje, por disa eksperimente të kryera tek njerëz me diabet të tipit 2 tregojnë se acidi acetik mund të rregullojë sheqerin në gjak. “Sidomos para një vakti të pasur me karbohidrate, uji me uthull mund të ketë një efekt pozitiv në sheqerin në gjak”, raporton Steinberger.
Kjo sepse acidi yndyror me zinxhir të shkurtër i uthullës ka një efekt pozitiv në ndjeshmërinë ndaj insulinës. Më pas insulina mund të funksionojë më mirë dhe qelizat e thithin sheqerin më lehtë. Kjo redukton rritjen e sheqerit në gjak dhe ju ndiheni të ngopur për më gjatë.
“Nuk është e domosdoshme që ta pini me stomakun bosh në mëngjes, por mund ta konsumoni rreth 15 deri në 20 minuta para vaktit”, – thotë Steinberger. Ekspertja thotë se efekti nuk arrihet domosdoshmërisht nëse përzien ujin me uthull molle që për më tepër nuk ka një shije të miorë. “Nëse përdorni uthull molle edhe për salcën e sallatës, me siguri do të keni të njëjtin efekt” – shhton ajo.