Uncategorized

“Sozia” e Kadri Hazbiut në qelinë e burgut dhe fati i tij tragjik, ngjashëm me viktimat e tij

Më kishin thënë se ishte Kadri Hazbiu, por në fakt ishte Kadri Ismailati. Kur u prezantua, më tha: ‘Nuk jam polic, nuk jam hetues. Unë jam Kadri Ismailati. Zëvendës i parë i Kadri Hazbiut, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Shtetit. Kadri Hazbiu qe shumë i zënë, dhe erdha unë.’ Më ka treguar më vonë pas burgut, një miku im, Paridi, i cili më tha: ‘Kam qenë në kafe në hotel Dajti, kur i kanë futur helm në kafe Kadri Ismailatit dhe ka dalë nga kafja duke bërtitur si kalë. Ka tmerruar gjithë sallën prej hemorragjisë. Dhe atëherë, në gazetë botuan një artikull të vogël sa një paketë cigare, ku i përmendnin meritat, postet, gradat dhe se vdiq “në krye të detyrës”.’ Pra, mora vesh, që Ismailati, që gjoja donte të më shpëtonte mua, vdiq vetë pa shkuar unë në kamp.”

Janë të tmerrshme dhe të dhunshme dhe në kufijtë e së pabesueshmes, rrëfimet nga të burgosurit politikë të diktaturës komuniste. Makinacionet e Sigurimit të Shtetit kanë përdorur metoda nga më të frikshmet për të dhunuar dhe për të përulur viktimat e tyre, të burgosurit politikë të diktaturës komuniste. Një prej tyre është historia e Prelë Sykut, i cili ka kaluar gjithë rininë e tij nëpër burgjet e diktaturës. Dy herë i dënuar, 12 dhe 15 vjet burg, Prelë Syku rrëfen ndër të tjera një ngjarje të pazakontë, kur i ishte komunikuar një takim me Kadri Hazbiun dhe në vend të tij do të vinte një tjetër Kadri, gjithashtu xhelat i diktaturës, që do t’i shfaqej Prelës si Kadri Hazbiu. Do të shihni në rrëfimin e Prelë Sykut detaje të një historie të pazakonte dhe fundin tragjik të Kadriut, sozi, i cili do të vdiste i helmuar nga regjimi komunist.

***

“Kur mbusha shtatëmbëdhjetë ditë në birucë, më erdhi prapë kryetari i Degës së Lezhës, ndërkohë që dy të tjerët që më shoqëronin, rrinin gjithë kohën aty me mua. Hanin, pinin, por nuk lëviznin prej Dege. Dhe ai më tha: “Dëgjo Prelë Syku, fatin që ke ti, e kanë pak të arrestuar. Familja, shokët e punës, ndërmarrja…, të gjithë e dinë se je në zbor. Dhe nesër në ora 9:00, vjen Kadri Hazbiu të takohet me ty.” Unë i thashë: “Nuk është nevoja me ardhë Kadri Hazbiu more burrë, se ju jeni të gjithë funksionarë shteti. Për mua Kadri Hazbiu je ti. A je kryetar Dege?”. Ai tha: “Ai nuk na merr leje as mua e as ty, por po të tregoj se me ç’person do të kesh të bësh, që të mos flasësh ndonjë budallallëk e të mos rëndosh veten.”

Më futën në birucë e bëra një gjumë të trazuar. Si rregull, një herë më nxirrnin në banjë e pastaj më çonin në birucë. Birucën e mbyllnin me çelës siç ju thashë. Kur ndahej ushqimi, mua më linin një copë bukë te dera e birucës, sepse asnjë nga ata të shërbimit nuk kishte të drejtë të hynte e të kishte kontakt me mua. Dhe ndodhte, që në pritje, gjysmën e bukës e hanin minjtë, sepse ata të dy hetuesit që merreshin me mua, kishin lëvizur. Kur ktheheshin këta, ma shtynin me këmbë atë copë bukë, e ma fusnin brenda. Gjellën e ndanin në disa tasa kauçuku, por mua nuk kishin nga të ma fusnin, sepse sporteli ishte i gozhduar, dhe detyroheshin e më linin pa gjellë. Më kujtohet, se një ditë, më kishin lënë gjysmë buke, dmth dy racione, dhe nga uria m’u duk jo si bukë, por aq e mirë, si të ishte biskotë.

Atëherë, të nesërmen, në ora 9:00, siç më ishte thënë, erdhi një person që dukej krejt si Kadri Hazbiu: me pallto, me kollare, me kasketë. Më mori në zyrë dhe i nxori jashtë zyre të tjerët. Më tha:

“Prelë Syku, fatin që ke ti e kanë pak të arrestuar. Ti nuk je arrestuar për të ndenjur në burg; ti je arrestuar për të shkuar në shtëpi. Këtë gjë nuk e bëjmë për interesin tënd, por për interes të Sigurimit të Shtetit, por prej kësaj, do të përfitosh ti dhe fëmijët tuaj. Fletën e zborit e ke të firmosur dhe të vulosur për 14 ditë. Sekretin duhet ta ruash…”

Unë kujtoja se ishte Kadri Hazbiu. Ai pinte cigare me filtër dhe sa herë e ndizte për vete, ma ofronte edhe mua. Megjithëse unë nuk e pija zakonisht, në ato kushte, rrezik të pije edhe helmin dhe jo cigaren. Atëherë, unë i thashë: “A ka mundësi me fol unë njëherë, more burrë?”. “Fol, çfarë ke për të thënë?” – tha.

“Bjere dorën, – i thashë. Për këtë besën e Zotit dhe për kryet e katër fëmijëve, çdo gjë që më keni parashtruar në këtë hetuesi është rrenë. Prelë Syku rrena nuk pranon dhe kënd nuk akuzon. Unë nuk e ndërtoj lumturinë e fëmijëve të mi mbi fatkeqësinë e të tjerëve.”

Atëherë ai më tha: “Ne e dimë se je armik. Ne të kemi studiuar që në Tiranë. Por menduam se kë berë burg boll dhe ke katër fëmijë…”

“Fëmijët m’i paçi në qafë ju, – thashë. Pse kam katër fëmijë, i ligë nuk bëhem.”

Ai i ra menjëherë telefonit dhe u futën policët në zyrë, më hoqën batanijen dhe më arrestuan. Më sollën dhe më bashkuan me të tjerët që i kishin arrestuar një vit para meje, siç jua shpjegova më lart.

Ndërkohë këta të tjerët i kishin detyruar të pranonin që kishin mbështetur të arratisurit e gjëra të kësaj natyre. Ministria e Brendshme kishte dhënë urdhër që ‘Prelën të mos e merrte Lezha në hetuesi’, por caktuan një hetues nga Ministria e Brendshme, Skënder Myftarin, që ishte një burrë trupmadh, dhe lëkurerrët. Ai më merrte në hetuesi. Unë doja t’i shkoqisja këto punë, e t’ua nxjerrë gënjeshtrat këtyre. Më bënin ballafaqim. “Ç’janë këto iluzione! – u thashë. Ç’janë këto rrena! Këto janë rrenat e Gjolekë Lajthisë (që ishte shefi i hetuesisë)! Agjitacion e propagandë mund t’ia fusni kujt të doni, kurse sa për takim me të arratisur, duhen disa veprime a dokumente që ta dëshmojnë. Duhen disa fakte, si për shembull: kush e solli kafen, kush e solli bukën, ku ndejtën… E ku na qenkësh ai takim me të arratisur në vitin 1978? Ç’janë këto budallallëqe?”

Ajo hetuesi ishte si me qenë gjyq për nga mënyra e ballafaqimit. Atëherë, kryetari i Degës tha: “Prelë, ne nuk mund t’i biem këta dëshmitarë se do prej tyre i kemi tanët”. “Bjeri këtu, ata që na paskan servirur kafen. Edhe gruan, edhe kunatin… Bjeri këtu të ballafaqohen me mua. Shteti nuk do rrena. Ju doni t’gënjeni shtetin për të na dënuar ne. Keni tridhjetë e ca vjet në pushtet dhe doni akoma të punoni me rrena. Doni të gradoheni, duke na dënuar ne“!

Ai i Ministrisë, atëherë tha: “Ka shumë të drejtë, Prela.” Atëherë ndërhyri Gjoleka që po shtypte në makinë, shef hetuesie, që në fakt nuk kishte të drejtë të më merrte në hetuesi, si edhe as njeri prej tyre: ”Për ideal të Partisë, burgun e parë e ke kaluar gur më gur. Kësaj here do të ta lyej unë litarin me sapun!”. Unë iu përgjigja: “Jua rrit’të dreqi nderin ty edhe të gjithë të tjerëve, se sa për litar nuk keni se çfarë më bëni! Për fjalë e për përralla, dënoni kë të doni. Ku i ke të arratisurit?!”. Pra, ishte një proces krejt formal. Të nesërmen, më thirrën dhe më thanë: “Ta kemi hequr nenin 64 nga akt-akuza”. “Jua rrit’të dreqi nderin, se ju vetë e montuat dhe ju vetë e çmontuat gjithë këtë. Unë jua di për nder po të më thoni shko në shtëpi dhe rri urtë. Kaq!” – u thashë. Pas kësaj, mua më futën në birucë”, rrëfen Prelë Syku.

Shënim: Rrëfimi i Prelë Sykut është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës”, botim i ISKK, me autorë Luljeta Lleshanakun dhe Agron Tufën./kujto.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button