Ekzekutohet shqiptari në Francë, mediat: Atentat mafioz

Një 40-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me breshëri plumbash në një lagje të Ma Campagne në Francë.
Mediat franceze shkruajnë se shqiptari me emrin Elis Alijaj, është ekzekutuar teksa ndodhej në furgonin e tij.
Në këtë moment një person i armatosur hapi zjarr pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi.
Sipas informacioneve nga mediat franceze, Alijaj ishte inxhinier hidraulik dhe ishte rrugës për në punë kur ndodhi krimi. Dëshmitarët raportojnë se menjëherë pas krimit, një automjet u largua me shpejtësi nga vendngjarja.
Më vonë, ky automjet u gjet i djegur në një pyll në Jauldes, brenda të cilit autoritetet zbuluan një pistoletë.
“Ai ishte personi më i këndshëm në botë, i sjellshëm, i dobishëm”, tha një fqinj.
“Njerëz simpatikë, pa probleme, të integruar mirë që jetonin në paqe me fëmijët e tyre.
Është një tronditje totale,” tha një tjetër fqinj.
Nga hetimet paraprake, rezulton se Alijaj u qëllua me disa plumba përmes xhamit të shoferit, duke marrë tre goditje fatale, një në këmbë dhe dy në zonën e kraharorit.
Viktima humbi jetën në vend, ndërsa policia franceze ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje të tipit mafioz./OraNews