10 ton mandarina me pesticide u mbajtën në treg/ Tre persona në pranga, mes tyre edhe inspektori i Vetenarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me skandalin e tregtimit të 10 tonëve mandarina me pesticide të cilat autoritetet e Kroacisë i kthyen mbrapsht në Shqipëri dhe pak muaj më parë janë hedhur në tregun shqiptar për konsumim. Policia bën me dije se pas një hetimi tremujor u finalizua operacioni “Injeksioni”.
Fermeri 46-vjeçar, Elton Tafa prodhoi dhe çoi për shitje në Kroaci 10 ton mandarina të cilat përshkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve janë kthyer në vendin tonë, sipas policise. Pas kthimit në Shqipëri 56-vjeçari Arben Dyli i ka magazinuar dhe më pas i shiti në tregun vendas.
Në pranga është vënë edhe inspektori i Vetenarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Elson Tahiraj pasi ai lëshoi certifikatë fitosanitare fiktive. Paraditën e sotme Prokuroria e Beratit bëri me dije se ka ndaluar tre persona pasi akuzohen se kanë hedhur në treg 10 tonë mandarina me pesticide të cilat autoritetet e Kroacisë i kthyen mbrapsht në Shqipëri.
Prokuroria theksoi se Arben Dyli, Elson Tafa dhe Elson Tahiraj akuzohen për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyres”.
Njoftimi i Policisë:
Si rezultat i një hetimi tremujor, me objektiv goditjen e rasteve të mashtrimit me produkte ushqimore, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, finalizoi operacionin policor të koduar “Injeksioni”.
Prodhoi dhe çoi për shitje 10 tonë fruta (mandarina) me përmbajtje të lartë pesticidi, arrestohet 46-vjeçari (fermer). Në pranga dhe një 56-vjeçar që magazinoi frutat, i eksportoi ato në Kroaci dhe pas kthimit nga shteti kroat, i shiti në tregun vendas.
Gjithashtu në pranga, 1 inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, i cili shpërdoroi detyrën, duke i lëshuar subjektit të 56-vjeçarit, certifikatë fitosanitare fiktive. Gjatë operacionit policor të koduar “Injeksioni”, u vunë në pranga shtetasit E. T., 46 vjeç, A. D., 56 vjeç dhe E. T., 30 vjeç.
Nga hetimet rezultoi se fermeri, shtetasi E. T., 46 vjeç, kishte prodhuar dhe kishte çuar për magazinim, te subjekti i shtetasi A. D., në fshatin Goriçan, 10 tonë fruta (mandarina). Sasia e frutave ishte eksportuar nga shtetasi A. D., në Kroaci, ku nga analizat ka rezultuar me përmbajtje të lartë të pesticidit Phosmet. Për këtë shkak, sasia është kthyer nga shteti kroat dhe është shitur në tregun shqiptar, nga shtetasi A. D.. Ndërkaq, dyshohet se shtetasi E. T., 30 vjeç, me detyrë inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, ka lëshuar certifikatë fitosanitare fiktive, për subjektin në administrim të shtetasit A. D., si dhe për subjekte të tjera./gsh