Ky “Big Brother VIP 4” qenka “Big Brother-i i motrave”

Këtë sezon të “Big Brother VIP” nuk po e ndjekim më si një reality-show, por si një sagë familjare ku në qendër janë motrat – ato që përplasen, ato që mbrojnë njëra-tjetrën dhe ato që i nxjerrin të palarat live në ekran. Nga debatet brenda shtëpisë te reagimet jashtë saj, ky është pa dyshim edicioni më “familjar” që kemi parë ndonjëherë.
1. Rozana – Gerta – Olta: “Pse nuk flet për motrën tënde?”

Një nga temat më të diskutuara është marrëdhënia mes Gerta Gixharit dhe motrës së saj, Olta Gixhari. Debati nisi kur Rozana Radi u shpreh e habitur pse Gerta nuk e përmendte fare Oltën, duke zbuluar se vetë Olta i kishte uruar fitoren e “Big Brother VIP” me një mesazh: “Ishalla fiton”.
Ky koment ndezi diskutime brenda shtëpisë, por ndryshe nga sa pritej, Gerta nuk pati një reagim të ashpër. Olta, nga ana tjetër, vendosi të ndërhynte me një surprizë për Gertën, duke treguar që motrat flasin dhe duke lënë të kuptohet se situata nuk ishte aq e tensionuar sa e bënte të dukej Rozana.
2. Andeta – Gerta – Rozana: “Nuk do ta fal kurrë”
Drama nuk u ndal këtu. Një tjetër përplasje mes Gertës dhe Rozanës për të cilën Andeta Radi, motra e Rozanës, reagoi për mënyrën si u trajtua çështja e shtatzënisë. Në një lidhje telefonike në “Fan Club”, ajo shprehu zhgënjimin për deklaratën e Gertës: “Kam atë që ti s’e ke”, duke e cilësuar si një koment që preku një plagë të hapur për Rozanën. Andeta u përplas edhe me Ronaldo Sharkën dhe Amber Candy-n, që argumentuan se provokimet e të dyja palëve e përshkallëzuan situatën.
3. Publikimi i mesazheve

Pasi u ngrit çështja e mesazhit që Olta i kishte dërguar Rozanës, Gerta u përpoq të sqaronte situatën duke thënë se motra e saj nuk e kishte ditur për hyrjen e saj në “Big Brother”. Por pak më vonë, menaxhuesit e rrjeteve sociale të Rozanës publikuan mesazhet që vërtetonin të kundërtën – Olta jo vetëm që e kishte ditur, por i kishte uruar fitoren.
Kjo ngjarje solli një tjetër valë reagimesh, ku publiku u nda mes atyre që besojnë Gertën dhe atyre që mendojnë se Olta është përpjekur ta fshehë të vërtetën.
4. Danja, Valbona dhe ndërhyrja e motrës së Danjës

Një tjetër dyshe e përfshirë në dramën e motrave është ajo e Danjës dhe Valbonës. Në debatin e tyre rreth Laertit, motra e Danjës, Ertila Koka, vendosi të mos qëndrojë e heshtur dhe ndërhyri përmes komenteve në rrjetet sociale dhe jo vetëm.
Ajo akuzoi Valbonën për xhelozi të pajustifikuar dhe theksoi se ajo dhe Danja nuk kanë qenë asnjëherë shoqe jashtë shtëpisë, ndryshe nga ç’pretendonte Valbona. “Shoqet e saj janë të rralla dhe me ty s’mbaj mend të jetë shoqëruar ndonjëherë”, shkroi Ertila.
5. Motra e Gjestit dhe reagimi pas akuzave

Dhe si të mos mjaftonte e gjithë kjo, edhe Gjesti është bërë pjesë e fenomenit të motrave. Pas një interviste të ish-shokut të tij, e cila ngriti shumë dyshime për sjelljen e Gjestit, motra e tij, Blerina, reagoi publikisht për ta mbrojtur.
Përmes një postimi në TikTok, ajo hodhi poshtë kritikat dhe justifikoi sjelljet e vëllait të saj, duke shkruar: “Çdo njeri ka pasur probleme në jetë. Asnjë njeri nuk është perfekt”
Nga gjithë këto histori, duket se këtë vit “Big Brother VIP” nuk është më thjesht një lojë strategjish apo një garë për çmimin e madh. Ky sezon është kthyer në një arenë ku motrat mbrojnë, sulmojnë dhe përplasen si kurrë më parë. Nëse vazhdon me këtë ritëm, ndoshta në të ardhmen do të kemi edhe një spin-off: “Big Brother VIP: Edicioni Familjar”.