Rasti i çuditshëm, arrestohet 40-vjeçarja pse preku bukën me dorë dhe nuk e bleu

Një grua në Japoni është arrestuar pasi shtypi (preku) një bukë me dorë në një dyqan dhe u largua pa e blerë.
Autoritetet në qytetin jugor Fukuoka konfirmuan për “BBC” se një grua 40-vjeçare u arrestua për dëmtim të pronës.
Sipas policisë, gruaja, e cila tha se ishte pa punë, pohoi se kishte thjesht kontrolluar fortësinë e bukës duke e shtypur lehtë me dorë.
Ajo dyshohet se ka prekur një paketë me katër bukë me susam të zi dhe djathë kremi.
Megjithëse paketimi mbeti i paprekur, policia tha se një bukë u dëmtua, pasi ajo e shtypi me gishtin e djathtë, duke bërë që e gjithë paketa të mos mund të shitej.
Policia tha se pronari i dyqanit Lawson konfirmoi se kishte parë disa herë gruan duke shtypur bukët më parë.
Kur ajo po largohej nga dyqani, pronari vuri re bukën e dëmtuar dhe e ftoi të paguante për paketën.
Buka kushtonte rreth 180 jena (1.20 dollarë). Ajo dyshohet se ka refuzuar të paguajë.
Pronari e ndoqi atë për rreth një kilometër dhe më pas e ndaloi. Policia u thirr në vendin e ngjarjes dhe e arrestoi.
Në vitet e fundit, policia në Japoni është duke marrë masa edhe ndaj “terroristëve të sushi-t” – individëve që bëjnë shkatërrime në restorantet e sushit me shirita të lëvizshëm, si për shembull duke puthur shishkat e përbashkëta të salcës së sojës ose duke shtypur sushin e destinuar për mysafirët.