Ministri: Kjo është Gjenerata e re e pilotëve shqiptarë

Endrit Hate dhe Fabio Bardho janë dy prej pilotëve të gjeneratës së re të pilotëve shqiptarë që operojnë në Bazën Ajrore të Farkës
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu solli sot shembullin e dy pilotëve, duke theksuar se ata janë “dy nga anëtarët e familjet së madhe të Mbrojtjes që tregojnë investimin tonë në fuqinë njerëzore në Forcat e Armatosura”.
Puna e tyre në Forcën Ajrore reflekton gjithashtu prioritetin e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes për modernizimin e vazhdueshëm”, nënvizoi ministri.
Pilotët e rinj janë shndërruar tashmë në komandantë ekuipazhi.
Togeri Fabio Bardho, komandant ekuipazhi për helikopterët “Black Hawk” tregoi historinë e tij të rekrutimit në Forcat e Armatosura.
Unë realisht kam konkurruar pranë Ministrisë së Mbrojtjes për një bursë studimi në Akademinë e Forcave Ajrore në Napoli. Gjithmonë ka qenë ëndrra ime për t’u bërë pjesë e FA më përpara. Pas trajnimit bazik që kam bërë në Bazën Ajrore në Farkë kam shkuar në Amerikë, në shtetin e Arizonës dhe atje kam zhvilluar trajnimin për helikopterin “Black Hawk” UH-60””, tha Bardho.
Ndërsa toger Endrit Hate, komandant ekuipazhi për helikopterët “Black Hawk”, tregon se çfarë duhet për t’u bërë pilot.
“Pilotimi i një helikopteri në radhë të parë është një kënaqësi, por është edhe një përgjegjësi. Ka disa lloje sfidash, të cilat ne i hasim në fazat e para si pilot. Kërkon një përqendrim shumë të madh dhe një qetësi shumë të madhe, për shkak se stresi dhe presioni i pilotimit të një mjeti të tillë të madh ajror është dhe përgjegjësi”, u shpreh Hate.
Ai tregon edhe arritjet në karrierën profesionale si pilot.
“Arritja më e madhe profesionale si pilot në FA është kryerja e detyrës si komandant ekuipazhi me helikopterin “Black Hawk”, i cili është një helikopter shumërolësh. Kjo është gjithashtu dhe një arritje shumë e madhe, një sukses shumë i madh për Bazën Ajrore Farkë pasi dy pilotë të rinj kanë filluar të kryejnë detyra si komandant ekuipazhi gjë e cila do të ndihmojë në operacionalitetin e bazës si dhe në trajnimin e pilotëve të tjerë të bazës”, u shpreh Hate.
Hate dha edhe një mesazh për më të rinjtë.
Do t’u sugjeroja që të bëhen pjesë e FA, duke aplikuar për t’u bërë në radhë të parë oficer i FA, pastaj të aplikojnë dhe të kërkojnë mundësinë e trajnimit për pilotë helikopteri dhe për t’u bërë një pilot i Forcës Ajrore në Farkë. Për shkak se ka disa shkallë dhe disa faza për të arritur për t’u bërë pilot, minimalisht duhet të jesh një oficer i FA që të të lindë e drejta për të aplikuar dhe për t’u bërë pilot, më pas konkurron për të bërë kursin e pilotit në Forcën Ajrore shqiptare”, tha ai.
/OraNews