Proda paralajmëron rrugorët, drejtori i Policisë: Mjaft me gjobat në masë, ndëshkoni ata që përbëjnë rrezik
Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka kritikuar punonjësit e rrugores në të gjitha qarqet, teksa është shprehur se siguria në rrugë nuk është në parametrat që duhet të jetë.
Gjatë analizës vjetore të punës, Proda paralajmëroi largime nga puna për punonjësit që vënë shumë gjoba, pasi sipas tij, duhen ndëshkuar vetëm ata që përbëjnë rrezik.
“Nuk dua sasi masash administrative dhe cilido nga ju që do t’i masë treguesit e punës me sasinë e masave administrative, automatikisht do ta lëviz nga detyra.
Dua cilësi në punë dhe të ndëshkoni ata që vërtet janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, ata që xhirojnë gomat dhe shkaktojnë ndotje akustike duke u kthyer në shqetësim për qytetarët.
Ata drejtues automjetesh që parkojnë mbi trotuare, duke penguar lëvizjen e këmbësorëve dhe të nënave me karroca me fëmijë, si dhe ata që parkojnë në rrugë, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve”.
Kryepolici Proda kërkoi gjithashtu ndëshkim për shpejtësinë, për parakalimet e gabuara dhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Për kreun e Policisë së Shtetit, këto janë detyrat prioritare të çdo punonjësi të rrugores, ndërsa kërkoi një vëmendje të shtuar edhe në akset që janë pranë shkollave./tch