S’ka më privatësi! CIA mund të lexojë mesazhet në WhatsApp
Mark Zuckerberg, tha se autoritetet amerikane, si Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), mund të lexojnë mesazhet tona në WhatsApp duke pasur akses fizik në pajisje. Zuckerberg tha se kjo është e mundur pavarësisht enkriptimit nga një fund në tjetrin të aplikacionit.
Gjatë një bisede në podcast-in “The Joe Rogan Experience,” Zuckerberg trajtoi pyetjet rreth mënyrës se si agjencitë qeveritare mund të anashkalojnë enkriptimin për të hyrë në komunikimet private. Gjithashtu Zuckerberg shpjegoi se ndërsa enkriptimi i WhatsApp-it siguron që serverat e Meta-s nuk mund të shohin përmbajtjen e mesazheve, kjo mbrojtje nuk përfshin të dhënat e ruajtura në pajisjen e përdoruesit.
Ajo që bën enkriptimi është të sigurojë që kompania që ofron shërbimin nuk e sheh. Nëse po përdorni WhatsApp, nuk ka asnjë moment kur serverat e Meta-s të shohin përmbajtjen e atij mesazhi,” tha ai.
Ky zbulim erdhi gjatë një diskutimi mbi akuzat e gazetarit Tucker Carlson se agjencitë amerikane të inteligjencës, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe CIA, penguan përpjekjet e tij për të intervistuar presidentin Rus Vladimir Putin duke pasur akses në mesazhet e tij private.
Carlson kishte pohuar se këto agjenci kishin nxjerrë planet e tij, duke ndërprerë procesin e intervistës me liderin rus. Zuckerberg gjithashtu i tha Roganit se mjete si spyware, përfshirë softuerin kontrovers Pegasus, po u mundësojnë agjencive të kenë akses të drejtpërdrejtë në të dhënat e ruajtura në pajisje. Sipas tij, këto mjete lejojnë mbikëqyrje, përfshirë leximin e mesazheve të enkriptuara, shikimin e fotove dhe aksesin në regjistrat e thirrjeve, pa qenë e nevojshme të ndërpriten komunikimet gjatë transmetimit.