Life Style

A është e vërtetë që celulari ynë (në mënyrë të fshehtë) dëgjon bisedat tona dhe na shfaq reklama?

Sapo u themi miqve tanë se duam të bëjmë një udhëtim në Itali, pa e kërkuar fare në “Google”, papritur shfaqen në ekranin e telefonit tonë reklama për fluturimet më të lira për Milano dhe Romë. I propozojmë partnerit tonë të shkojmë në një restorant të ri që kemi dëgjuar se është hapur në qytet dhe, si me magji, telefoni ynë fillon të na sugjerojë prezantime të ngjashme në internet.

Pastaj lexojmë se “Apple” u detyrua të paguajë një dëmshpërblim prej 95 milionë dollarësh pas një padie që pretendonte se aplikacioni “Siri” regjistronte bisedat e përdoruesve pa pëlqimin e tyre, për t’u shfaqur reklama të personalizuara, dhe ndiejmë se dyshimi ynë se telefoni ynë (fsheh) dëgjon bisedat tona po konfirmohet.

Por çfarë ndodh vërtet?

Sipas një artikulli të ri të “Washington Post”, aplikacione dhe teknologji të ndryshme, si “chatbot”-et dhe asistentët zanorë, përcaktojnë vendndodhjen, aktivitetin dhe zërin tonë dhe ndonjëherë i regjistrojnë ato pa pëlqimin tonë për t’i përdorur jo vetëm për qëllime reklamimi, por edhe për qëllime të tjera që ndoshta nuk i kemi imagjinuar.

Megjithatë, profesori i Universitetit Northwestern, David Choffnes, beson se ka “pak mundësi” që reklamat që shfaqen në telefonat tanë të lidhen me atë që “ka dëgjuar” mikrofoni i pajisjes. Ai shpjegon se kompanitë mbledhin kaq shumë informacione për secilin prej nesh, gjithsesi, saqë nuk kanë nevojë të “përgjohen” edhe bisedat tona.

Edhe kur, për shembull, betohemi se nuk e kemi kërkuar kurrë në “Google” emrin e restorantit që duam të vizitojmë, mund ta ketë bërë partneri ynë nga WiFi-ja e përbashkët e shtëpisë. Ndoshta, gjithashtu, kompanitë kanë “gjykuar” se restoranti i caktuar përputhet me preferencat tona gastronomike dhe estetike, bazuar në kërkime të tjera që kemi bërë më parë, si për shembull, në harta qytetesh dhe platforma të porositjes së ushqimit.

Gjithsesi, siç shpjegojnë ekspertët e teknologjisë për “Washington Post”, edhe nëse kompanitë vendosin që ia vlen të regjistrojnë dhe analizojnë bisedat tona të përditshme, bateria e telefonit tonë do të shteronte shumë shpejt nga funksionimi i vazhdueshëm i mikrofonit.

Nga ana tjetër, siç tregoi edhe çështja gjyqësore kundër “Apple”, mënyra se si mblidhen informacionet tona personale dhe përpunohen për qëllime reklamimi nuk është plotësisht transparente. Madje, “Apple” dhe kompani të tjera kanë pranuar se disa skedarë zanorë kalojnë në kontroll, qoftë nga programe kompjuterike, qoftë nga punonjësit e tyre, për të kontrolluar funksionimin e saktë të disa prej shërbimeve të tyre. Për më tepër, Choffnes, në një studim të vitit 2020, arriti në përfundimin se asistentët zanorë nuk aktivizohen gjithmonë pikërisht kur duhet. Ndaj ideja që ata na regjistrojnë në momente kur ne nuk kemi zgjedhur vetë, nuk është aspak qetësuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button