Zbardhet vrasja e Liridona Ademajt?! Prej më shumë se një viti hetimesh, Prokuroria Themelore e Prishtinës njofton konferencë
Liridona Ademaj u ekzekutua në makinë në nëntor të 2023
Kryetari i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi do të zhvillojë të mërkurën (15 janar) një konferencë për media lidhur me vdekjen e Liridona Ademajt. Kjo e fundit u ekzekutua në makinë në nëntor të 2023, ndërsa porositësi i vrasjes së saj dyshohet se është bashkëshorti, Naim Murseli.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet me datë 15.01.2025 me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë edhe pse ka kaluar mbi një vit nga vrasja e saj, Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka ngritur aktakuzë për ngjarjen, pasi hetimet vazhdonin ende. Më 24 tetor të 2024, Gjykata Themelore e Prishtinës njoftoi se e ka zgjatur paraburgimin ndaj të dyshuarve edhe për dy muaj.
Fillimisht ngjarja e ndodhur në fshatin Bërrnicë të Prishtinës u raportua si vrasje si pasojë e grabitjes, por hetimet morën një rrjedhë tjetër, me skenarin e dyshuar se bashkëshorti i saj porositi vrasjen. Atë natë, 29 nëntor 2023, 30-vjeçarja ndodhej në automjet me fëmijët dhe bashkëshortin, Naim Murseli. Ajo u qëllua me plumb në qafë, në prani të fëmijëve të saj. Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, me urdhër të Murselit i cili i kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK-së.
Ata u arrestuan ditën ku u varros Liridona, ndërsa ajo që e rëndoi këtë ngjarje ishte se vetë bashkëshorti i saj mori pjesë në ceremoninë mortore duke pritur ngushëllimet për vrasjen që ai vetë kishte porositur. Tre të dyshuarit, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë nuk duhet dihet ende, ndërsa në Prokurorinë e Kosovës janë disa pista, të cilat u aluduan gjerësisht në media.